Site icon Telegrafi

Telekomi i Kosovës do të kërkojë t’i rikthehen të gjitha mjetet e përmbaruara pa bazë ligjore dhe me detyrim

Telekomi i Kosovës ka njoftuar se sot ka pranuar Aktvendimin e Gjykatës së Apelit me numër Ac.nr. 265/22 (“Vendimi i Apelit”), me të cilin kjo Gjykatë e ka aprovuar si të themeltë ankesën e debitorit Telekomi i Kosovës Sh.A. dhe çështjen e ka kthyer në procedim të sërishëm në Gjykatën Themelore.

Në njoftimin e Telekomit, thuhet se sipas këtij vendimi, Gjykata e Apelit, bazuar në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e ka konfirmuar se ankesa e Telekomit të Kosovës Sh.A. është e themeltë dhe se Telekomi i Kosovës ka qenë subjekt i një procedure gjyqësore të parregullt dhe me shkelje serioze procedurale dhe materiale, e cila e ka favorizuar Dardafon.net dhe Z-Mobile në dëm të Telekomit të Kosovës Sh.A. Duke marrë parasysh këto shkelje serioze, lënda është rikthyer sërish në gjykim pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Vendimin e Gjykatës së Apelit e shohim si një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së ligjshmërisë në lidhje me kërkesat legjitime të Telekomit të Kosovës Sh.A.. Telekomi i Kosovës Sh.A. i siguron të gjithë se do të shfrytëzojë të gjitha mjetet juridike në dispozicion, me qëllim të sqarimit të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se “Vendimi i Apelit është në linjë me konstatimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës se kemi të bëjmë me shkelje serioze dhe të rënda kushtetuese në dëm të Telekomit të Kosovës Sh.A., në procesin e procedurës përmbarimore, të cilat shkelje përfshijnë Urdhrin Përmbarimor P.nr.491/19, të datës 15.07.2019 të lëshuar nga përmbaruesi privat Ilir Mulhaxha, Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë PPP.nr.1486/19 të datës 06.07.2020, Aktvendimin e Gjykatës së Apelit AC.nr.3610/20, të datës 08.10.2020, dhe gjithashtu Aktvendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës [CML.nr.12/20], të 20 janarit 2021”.

“Shkeljet kushtetuese dhe procedurale në dëm të Telekomit të Kosovës Sh.A., të konstatuara nga ana e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Kushtetuese, lidhen me përcaktimin e shumës për të cilën është lejuar përmbarimi dhe bazat meritore të kundërshtimeve dhe ankesës së Telekomit të Kosovës Sh.A., e të cilat janë thelbësore për të përcaktuar detyrimet e Telekomit të Kosovës Sh.A”.

“Anulimi i Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, PPP. nr. 1486/19 të datës 06.07.2020 nënkupton që pagesat e deritashme nga ana e Telekomit Sh.A. janë bërë pa bazë ligjore dhe këto pagesa do të ndërpriten deri në një vendim meritor të gjykatës, së bashku me përllogaritjen e saktë dhe korrekte të vlerës, e cila do të përcaktohet në vijim në Gjykatën Themelore. Kjo nënkupton se Telekomi i Kosovës Sh.A. nuk do të jetë i detyruar të bëjë pagesa deri në një vendim përfundimtar dhe të plotfuqishëm, që përcakton qartë detyrimet e palëve, shumën dhe afatet. Gjithashtu, Telekomi i Kosovës Sh.A. do të përdorë mjetet ligjore në dispozicion për të kërkuar që të rikthehen të gjitha mjetet tashmë të përmbaruara pa bazë ligjore dhe me detyrim, në xhirollogarinë e Telekomit të Kosovës Sh.A.”

Sipas njoftimit, “në këtë fazë, duke mos harruar faktin se Telekomit të Kosovës Sh.A. i është bërë dëmtim serioz nga Përmbaruesi dhe instancat e Gjykatave, si dhe dëm kolateral në grumbullim të kamatave dhe pamundësisë së pagesave të obligimeve të tjera operative, Telekomi i Kosovës Sh.A. ka pritje legjitime që këtë radhë, sistemi gjyqësor i Kosovës do të ushtrojë rolin e tij kushtetues dhe ligjor në eliminimin e shkeljeve në dëm të Telekomit të Kosovës Sh.A.” /Telegrafi/

Exit mobile version