Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka shkruar telegram ngushëllimi për vdekjen e ikonës së muzikës shqipe Ismet Peja duke u shprehur se me dhimbje ka pranuar lajmin për vdekjen e doajenit të muzikës.
Më poshtë telegrami i plotë i ministres Dumoshi:
E nderuara familje Peja,
Me dhimbje të madhe mora lajmin për ndarjen nga jeta të familjarit tuaj, doajenit të muzikës, këngëtarit me muzikën e të cilit u rritëm, bilbilit të Gjakovës Ismet Peja.
Emri i ismet Pejës do të jetë përjetësisht i lidhur me këngën burimore shqiptare, me melosin popullor shqiptar dhe me veprimtarinë muzikore të Kosovës në përgjithësi.
Zëri i bacës Ismet përmes qindra këngëve qe ai solli mjeshtërisht, qe i pranishëm për publikun për shtatë dekada me radhë. Ai ishte padyshim monument i këngës popullore e qytetare shqiptare dhe artist me kuptimin e plotë të fjalës.
Baca Ismet në një jetë të tërë kushtuar skenës, ishte i pranishëm për publikun edhe në muajt e fundit të jetës. Për adhuruesit e këngës së tij, zëri i tij do të mbetet përherë i freskët e i paharruar, shpirti i tij përherë rinor e gazmor sepse siç ia thoshte edhe ai vet me këngë “Robi plaket kur don vet”!
Në emrin tim si ministre dhe të MKRS-së i shpreh ngushëllimet më të sinqerta, familjes, komunitetit artistik si dhe gjithë adhuruesve të këngës së tij, në Kosovë e jashtë saj.
Kemi humbur një njeri e një artist të papërsëritshëm. Ismet Peja ishte dhe do të mbetet emër i pashlyeshëm i kulturës dhe artit shqiptar.
Me respekt,
Vlora Dumoshi
Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
/Telegrafi/