Portali Telegrafi.com, platforma në Maqedoni, është shpallur si portali më transparent në këtë vend. Kështu thuhet në analizën e ”Shërbimit për verifikimin e fakteve në media”, që është pjesë e projektit të USAID-it për forcimin e mediumeve në Maqedoni.
“Analiza është bazuar në hulumtim të të dhënave që janë publikisht të botuara në 15 portale nga vendi. Qëllimi i analizës është të identifikohet se sa mundësojnë portalet përgjegjësi konkrete për veprat që i publikojnë, si dhe të vlerësohet transparenca dhe besueshmëria e tyre në bazë të informatave të publikuara për redaksitë dhe autorët ne ueb faqet e tyre. Analiza nuk përfshin të dhëna institucionale, e as matje të detajuara kuantitative”, thuhet në analizën e publikuar nga gazetari Adrian Kerimi.
Telegrafi.com vlerësohet si më transparent në pjesën ku lajmet publikohen me autorë, me emër dhe mbiemër të gazetarit, i cili e punon lajmin.
“Shpeshherë, përmbajtjet në portale nuk kanë autorë, por bashkautorë. Shumica e artikujve, përjashtim atyre që janë plagjiate (të kopjuara nga mediat tjera), nuk kanë emra autorësh. Përjashtime janë e portali telegrafi.com (platforma në Maqedoni), ndërkaq portalb.mk dhe zhurnal.mk, shpalosin vetëm inicialet e autorëve”, thuhet në analizën e Shërbimit për verifikimin e fakteve në media.
Më vonë analiza ka pësuar ndryshime, ku Telegrafit i është shtuar edhe portali tjetër portalb.mk, gjithashtu si portal transparent sa i përket informimit me emër dhe mbiemër të autorëve të lajmeve.
Ndryshe, Telegrafi ka hapur zyrën në Maqedoni që nga gushti i vitit të kaluar dhe që atëherë ka informuar saktë, shpejtë dhe pa ndikime politike, që nuk e gjeni në portalet tjera në Maqedoni./Telegrafi/