Telefoni juaj i mençur ofron qasje në shumë faqe dhe llogari të internetit, por këto prapa vetes mund të bartin edhe rreziqe.
Kjo sepse qasja mund të shkaktojë probleme për pajisjen dhe në rast se nuk bëhet në formë të sigurt, përdoruesi mund të bie pre e hakerëve apo e spiunëve online, transmeton Telegrafi.
Por, uebfaqja Top10VPN shkruan se nëpërmjet disa mënyrave, përdoruesi mund ta kuptojë nëse telefoni i tij po spiunohet.
Ndiqni këshilla në vijim:
Aplikacione të panjohura në telefonin tuaj
Nëse në telefonin tuaj shihni aplikacione të panjohura, që janë instaluar pa dijen tuaj, me të drejtë mund të mendoni se keni rënë pre e spiunimit online. Kjo pasi njerëzit me qëllime dashakeqëse të internetit kur futen në sistemin operativ, lënë gjurmë të tillë, që nëpërmjet atyre aplikacioneve, t’iu kontrollojnë të dhënat tuaja, duke shkaktuar shumë dëme.
Pajisja ka pësuar “rooted” ose “jailbreak”
Këto dy terme teknologjike nënkuptojnë kur spiuni është futur thellë në sistemin operativ të telefonit dhe ka bërë ndryshime rrënjësore negative. Sipas kësaj, telefoni juaj spiunohet dhe është totalisht në duart e hakerëve që i synojnë të dhënat tuaja. Andaj, rifreskimi i të dhënave dhe ndërrimi i fjalëkalimeve mund ta mbrojë telefonin tuaj nga ky fenomen.
Bateria po zbrazet me shpejtësi
Nëse bateria e telefonit juaj po shpenzohet shpejtë dhe pa arsye, mund të keni rënë pre e spiunëve online. Kjo ndodh ngase spiunët qasen në të dhënat tuaja dhe instalojnë aplikacione të rënda që e ngarkojnë baterinë dhe shkaktojnë dëme. Andaj, për të hetuar këtë, kontrollojeni nivelin e baterisë suaj në mënyrë sistematike.
Telefoni po tejnxehet
Nëse pajisja juaj po pëson nxehje të madhe, keni kujdes se po spiunoheni. Sistemi juaj operativ është i ngarkuar nga “lëvizjet” e spiunëve, e kjo mund të bëjë që telefoni të nxehet shumë. Kjo sidomos vërehet kur telefoni nxehet edhe nëse nuk jeni duke e shfrytëzuar.
Mesazhet e çuditshme
Nëse po pranoni vazhdimisht mesazhe të çuditshme nga kontakte që s’i njihni, mund të keni rënë pre e spiunëve online, ose mund të ketë shenja se do të sulmoheni.
Ekspertët e teknologjisë rekomandojnë që të mos instalohen aplikacione të rrezikshme dhe të panevojshme, e në të njëjtën kohë të mos kontaktoni me persona të panjohur. /Telegrafi/