Teknologjia kontroverse e drejtimit autonom të Tesla-s po përballet me një kontroll të shtuar nga autoriteti më i lartë i sigurisë rrugore në SHBA, pas dy aksidenteve muajin e kaluar, në të cilat sistemet e saj të avancuara të asistencës së shoferit besohej se ishin në përdorim në kohën e përplasjeve, sipas raporteve jashtë shtetit.
Agjencia e lajmeve Reuters raporton se Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut në Autostrada të SHBA-së (NHTSA) ka hapur dy “hetime speciale” të reja për aksidentet që përfshinin veturat elektrike të Teslës muajin e kaluar. NHTSA pretendon se sistemet e avancuara të asistencës së shoferit të gjigantit të makinave elektrike ishin në përdorim, duke shkaktuar të dy incidentet.
Tesla pretendon se sistemi i saj më i avancuar autonom i drejtimit – i tregtuar si “Full Self-Driving” – mund të përshpejtojë, ndalojë, drejtojë dhe parkojë makinën pa ndërhyrjen njerëzore, megjithëse shoferit i kërkohet ende të jetë i vëmendshëm dhe të mbajë kontrollin për t’iu përgjigjur skenarëve të paparashikuar ose një dështimi të teknologjisë, raporton Drive, transmeton Telegrafi.
Sipas Reuters, një nga incidentet e fundit nën hetim përfshinte një Tesla Model S, i cili dyshohet se shkaktoi një grumbullim tetë makinash në nëntor ndërsa kalonte Urën e Gjirit të San Franciskos.
Shoferi i Tesla-s pohoi se modaliteti “Full Self-Driving” ishte aktivizuar kur Model S i përdori frenat n1% mënyrë të papritur ndërsa ndërronte korsinë, duke shkaktuar një reaksion zinxhir përplasjesh që rezultuan në dy lëndime.
E dyta nga përplasjet e fundit ndodhi gjithashtu në nëntor, kur një Tesla Model 3 u përplas në pjesën e pasme të një makine Ohio Highway Patrol, e cila ishte e parkuar në rrugë teksa kishte ndezur dritat e saj të urgjencës.
Ndërsa shoferi i Tesla-s kishte mbetur i padëmtuar, një oficer i Patrullës së Autostradës së Ohajos dhe një shofer tjetër ishin lënduar.
Një raport nga policia e Ohajos nuk adresoi se nëse shoferi i veturës Tesla po e ngiste atë me sistemin e saj autonom të drejtimit të angazhuar apo ishte duke e drejtuar vetë. /Telegrafi/