Telegrafi

Teknologji për t’iu shmangur gjobave

Kompania Ford ka zhvilluar një teknologji të re, e cila shoferëve u ndihmon për t’iu shmangur gjobave për tejkalimin e shpejtësisë.

Modeli i ri i kompanisë, S-MAX, do të jetë i pajisur me teknologji të re të quajtur “Intelligent Speed Limiter System” (Sistemi inteligjent i kufizimit të shpejtësisë), sistem i cili parandalon shoferët që të kalojnë kufizimet e shpejtësisë.

Ky sistem përdor një kamerë të montuar në xhamin e përparmë, e cila detekton shenjat rrugore dhe përmes këtyre shenjave kufizon shpejtësinë maksimale dhe mund të ndikojë edhe në shpenzimet e karburantit, transmeton Koha.net. Kur shoferi afrohet në një pjesë të rrugës e cila është me kufizim të shpejtësisë, atëherë shpejtësia maksimale rritet.

“Shoferët nuk janë gjithmonë të vetëdijshëm rreth kufizimit të shpejtësisë dhe nganjëherë ata vozisin me një shpejtësi më të madhe, prandaj edhe gjobiten për tejkalimin e shpejtësisë së kufizuar. Intelligent Speed Limiter do të ulë stresin gjatë vozitjes dhe do të sigurojë respektimin e kufizimit të shpejtësisë”, ka thënë Stegfan Kappes, mbikëqyrësi i sigurisë për Evropë.

Intelligent Speed Limiter është i lidhur me sistemin e navigimit dhe rregullon distancën në mes të shenjave të komunikacionit në mënyrë që të bëjë një fotografi më të qartë të asaj se sa është caktuar kufizimi i shpejtësisë së asaj zone.

Ky sistem i ri është kombinim i teknologjisë së mëparshme të kompanisë Ford, Adjustable Speed Limiter (Rregulluesi i kufizimit të shpejtësisë) dhe Traffic Sign Recognition (Njohësi i shenjave të komunikacionit). Me këto dy teknologji janë të pajisur modelet Focus, Mondeo dhe Kuga.