Telegrafi

Tejkaloi përdorimin e forcës ndaj një qytetari në Prizren, IPK kërkon suspendimin e rreshterit

Inspektorati Policor i Kosovës sot paradite në zyrën rajonale të IPK-së në Prizren ka pranuar një ankesë nga një qytetar i cili ankohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga një zyrtar policor.

Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur të enjten në orët e mbrëmjes kur policia kishin ndaluar fillimisht qytetarin për një kundërvajtje në qytetin e Prizrenit.

Pas shqiptimit të dy tiketave për kundërvajtje qytetari ishte shoqëruar në stacionin policor në Prizren.

“Pas konsultimeve fillestare me prokurorin kompetent, hetuesit e IPK-së janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore duke dalë në vendin e ngjarjes si dhe kanë pranuar edhe raportet mjekësore lidhur me natyrën e lëndimeve trupore të ankuesit”, njofton IPK.

“Përderisa hetimi është duke vazhduar ndaj rreshterit policor (rreshter i Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Prizren), IPK bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tij me dyshimin për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës”, vijon tutje njoftimi.

Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti./Telegrafi/