Site icon Telegrafi

TechEco Pathways – hapet programi më i ri nga Innovation Centre Kosovo dhe LuxDev

Innovation Centre Kosovo (ICK) ka kënaqësinë të njoftojë fillimin zyrtar të Programit TechEco Pathways, një nismë transformuese e financuar nga LuxDev, Agjencia për Bashkëpunim Zhvillimor e Luksemburgut, me qëllim të mbështetjes së inovacionit dhe qëndrueshmërisë në Kosovë.

“TechEco Pathways” u hap dje në mjediset e Innovation Centre Kosovo, në praninë e Ambasadorit të Luksemburgut në Kosovë, z. Eric Dietz, Udhëheqësen e Bordit të ICK, znj. Zana Budima, Sekretaren e Përgjithshme të MASHTI, znj. Fadile Dyla, dhe znj. Vesa Bërdyna, bursiste programit DevelopHer, e cila e ndau përvojën dhe rrugëtimin e saj me të pranishmit.

Programi “TechEco Pathways” i cili do të zgjasë 24 muaj, përfshinë tre (3) aktivitete kryesore: 1) GreeTech – trajnime dhe punë praktike me pagesë në industrinë e TIK dhe Energjisë së Ripërtëritshme; 2) DevelopHer – ngritja e aftësive për vajzat dhe gratë në programim, siguri kibernetike, dhe industri kreative; dhe 3) Innovation Challenges – garat inovative për ruajtjen e energjisë, efiqiencës, “smart cities”, dhe ruajtjes së ambientit.

Kjo nismë planifikon organizimin e dhjetë (10) trajnimeve profesionale, dhe bursa të plota për mbi 120 të rinj nga Kosova, punë praktike me pagesë për të diplomuarit, mentorim, si dhe dy (2) edicione të garave me çmime & shpërblime të shumta për ekipet fituese. Aplikimet hapen së shpejti!

TechEco Pathways synon të adresojë mungesat kritike të aftësive në sektorët e energjisë së ripërtërishme dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në Kosovë. Duke u përqendruar në aftësimin e të rinjve, veçanërisht grave, me shkathtësitë e nevojshme për punësim të menjëhershëm dhe plotësimin e zbrazëtirës në treg, programi synon të kontribuojë në rritjen ekonomike të qëndrueshme, dhe zhvillimin e industrisë vendore.

Kjo ngjarje mbështetet nga projekti “Shkathtësi për punësim të qëndrueshëm në Kosovë”, i financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe i cili zbatohet nga LuxDev, Agjencia për Bashkëpunim Zhvillimor e Luksemburgut. /Telegrafi/

Exit mobile version