Telegrafi

Tebas përjashton mundësinë: Nuk ka El Clasico në New York

La Liga planifikon të zhvillojë disa ndeshje në SHBA, por Javier Tebas thotë se nuk do të ndodh që El Clasico të zhvillohet në New York.

Tebas nënshkroi ditë më parë një marrëveshje 15 vjeçare me Relevant, organizatorët e Kupës Ndërkombëtare të Klubeve, për të ndihmuar La Ligan drejt globalizimit dhe rritjes së interesimit për futboll në Amerikën e Veriut.

Marrëveshja do të thotë se një ndeshje në sezon duke filluar nga ky sezon do të luhet në tokën amerikane, edhe pse organizatorët ende nuk kanë caktuar cila do të jetë ndeshja në fjalë.

Ishte sugjeruar se El Clasico si një ndeshje globale mund të zhvillohet në SHBA, pasi një ndeshje e një niveli të tillë u zhvillua në ICC dy vjet më parë në Miami.

“Jo. Logjistikisht, një El Clasico në New York është vështirë të bëhet. Së paku, një El Clasico i La Ligas”, theksoi Tebas për El Mundo.

Plani për të zhvilluar një ndeshje në SHBA nuk është pritur mirë nga AFE, shoqata e futbollistëve, ku kanë takuar ehde lojtarët si Ramos, Busquets, Roberto dhe Koken, ku të gjithë kanë shprehur kundërshtimin për këto plane.

Tebas në anën tjetër beson se kjo marrëveshje do t’i japë shtytje La Ligas. /Telegrafi/