Me nisjen e sezonin të vjeshtës, drejtorët e teatrove, si dhe më parë, shprehen se me “pasurimin e repertorit synojnë rikthimin e publikut”.
Drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Agim Sopi, thotë se programi do të jetë tejet i pasur për publikun.
“Në repertor kemi shfaqje të realizuara në sezonin pranveror të këtij viti, pra nga vepra ‘Karnevalet e Korçës’ e deri tek ‘Sfinga e gjallë’ me autorë Rexhep Qosjen dhe regjisore Blerta Neziraj”, thotë ai. “Kemi edhe disa shfaqje nga fundi i vitit të kaluar, siç është shfaqja ‘Destur’ ose edhe shfaqja ‘Skendërbeu ose dashuria dhe liria’ me autorë Thomas Whincop dhe regjisor Fadil Hysajn. Këto janë shfaqje që do t’i kemi këta dy muaj në repertor”.
Sipas Sopit, publiku ka munguar në sezonin e pranverës vitin e kaluar “për shkak të problemeve të menaxhmentit të teatrit”.
Drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi, thotë se ky teatër ka nisur këtë vit me risi, me teatrin mobil që do të shërbejë për shfaqjen e veprave nëpër qytetet e Kosovës ku mungojnë teatrot.
“Kjo na ka ndihmuar shumë që shfaqjet tona t’i dërgojmë jashtë Gjilanit. Pra, do të mundohemi që i gjithë repertori jonë artistik të shkojë në aspektin mobil, të jetë më afër sidomos vendeve rurale ose komunave më të vogla të cilat nuk kanë shumë aktivitete”, thotë Zymberi. “Jam shumë i kënaqur me faktin që kemi arritur ta rikthejmë vëmendjen e një publiku të ri në Teatrin e Qytetit të Gjilanit”.
Edhe drejtori i Teatrit të Qytetit të Ferizajt, Fatmir Hyseni, u shpreh i kënaqur me numrin e publikut që e viziton këtë teatër.
“Sa më shumë që ofrojmë shfaqje, numri po shtohet” thotë Hyseni. /REL/