Teatri shqiptar në Amerikë me projektin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” fillon turin final gjatë muajit nëntor nëpër Evropë dhe tokat Arbërore, në kuadër të 550 vjetorit të vdekjes së kryeheroit kombëtar dhe brenda vitit 2018, të shpallur nga dy qeveritë shqiptare si “Vit i Skënderbeut”.
“Njoftojmë të gjithë bashkëatdhetarët kudo që janë të bëhen pjesëmarrës dinjitozë në kremten tonë të madhe duke ringjallur në promemorien tonë historike dhe kombëtare kryetrimin e Motit të Madh’.
‘Prezenca juaj nëpër shfaqjet teatrore kushtuar kryeheroit tonë është deponimi i shpirtit dhe bindjes tuaj për ardhmëri’.
‘Ëndërrimin tonë për një komb, një shtet, një gjuhë dhe një flamur le ta kthejmë në mesazh me rezultantë drejt bashkimitshqiptar”, thuhet në komunikatën e Teatrit shqiptar në Amerikë.
Shfaqja do të jepet në Aeroportin “John Kenedy” në New York, pak çaste para nisjes së linjë Munih- Gjermani në datë 4 nëntor.
Në Londër të Anglisë do të jepet më 10 nëntor, teksa në Prishtinë arrin më 16 nëntor, për të vazhduar më pas me Gjakovën më 17 nëntor.
Në Shqipëri, kjo shfaqja do të nisë me premierën e saj të parë në Vlorë më 20 nëntor, për të vazhduar më pas me Gjirokastrën më 21 nëntor, në Tiranë më 26 nëntor, në Durrës me 17 nëntor, dhe për ta përmbyllur më pas me Fierin më datë 28 nëntor.
Kjo shfaqje gjithashtu do të ketë premierë në kryeqytetin grek, Athinë, më 24 nëntor, dhe përmbyllet në Cyrih më 1 dhjetor. /Telegrafi/