Të mbështetur nga kreu i opozitës Lulzim Basha, artistët dhe qytetarët që u përplasën gjatë paradites së sotme me forcat e rendit përpara Teatrit Kombëtar, arritën të futen brenda në godinë.
Në fillim ishin disa artistë dhe qytetarë që hynë brenda godinës nga fasadat dhe dritaret anësore të saj dhe menjëherë pas tyre edhe përfaqësuesit e opozitës me në krye Lulzim Bashën.
Ndryshe nga orët e para të mëngjesit ku nuk munguan edhe përplasjet, në momentin që protestuesit u futën brenda godinës, Policia e Shtetit u tërhoq duke i lënë rrugë të lirë këtyre të fundit.
Protestuesit që mbrojnë shembjen e Teatrit Kombëtar së bashku me artistë te njohur në vendit dhe politikanë, u ulën në sallën e shfaqjeve ku në kushte normale disa do të ishin në rolin e spektatorit dhe disa do të ngjiteshin në skenë. Por duke qenë se situata nuk është aspak normale, te gjithë u bashkuan nën thirrjet ‘Rama ik”.
Qytetaret të cilët u futën në ambientet e Teatrit Kombëtar thanë se argumenti kryesor i nxjerrë nga qeveria se godina po shembej ndaj edhe duhej rikonstruktuar, nuk qëndron. Ndërsa kryedemokrati Lulizim Basha teksa postoi disa foto nga ambientet e brendshme të Teatrit Kombëtar, shkroi në Facebook se banda e Edi Ramës kishte nisur çmontimin e godinës.
“Brenda Teatrit Kombëtar ku Banda e Edi Ramës kishte nisur çmontimin. Aleanca per Teatrin dhe qytetaret i larguan dhe u futen brenda. Krenar per forcën e qytetareve te bashkuar”, shkroi Basha. /TCH/