Telegrafi

Teatri mund të jetë forcë ndryshimi – këtë e kërkova në kufirin mes Italisë dhe Sllovenisë

Pamje nga shfaqja “Varri i Perandorit” (foto: Luca A d'Agostino/Phocus Agency)

Nga: Arifa Akbar, kritike teatri / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Gareth Southgate kishte “dëshirë të sinqertë për t’i bashkuar njerëzit rreth një projekti të caktuar e jo t’i përçante ata dhe të shkaktonte zënka”, ka thënë dramaturgu britanik James Graham, në panegjirikun e tij për trajnerin e futbollit të Anglisë i cili u largua pas humbjes së kombëtares ndaj Spanjës në finalen e Euro 24.

Grahami, i cili është i zënë me rishkrimin e dramës së tij të futbollit, Anglia e dashur [Dear England] në dritën e këtij përfundimi (me sa duket si tragjedi), është më i njohur për thumbat e dramave të tij politike të cilat shumë herë ekspozojnë ndarjen, fjalët e paqarta të qeveritarëve dhe pafytyrësinë. Fjalët e tij më sollën në mendje rolin e krijuesve të teatrit dhe përgjegjësinë e tyre për të bashkuar publikun rreth një “projekti të veçantë” ose në të kundërtën e kësaj.

A është regjisori i mirë i teatrit i ngjashëm me një menaxher të suksesshëm të futbollit? Teatri është, siç dihet, i ndërtuar mbi konfliktin – por, a e ka për detyrë të bashkojë audiencën e jo ta ndajë – mbase nëpërmjet ushtrimit të empatisë? Këto pyetje bëhen më të komplikuara në kontekstin e projekteve teatrore ndërkufitare evropiane, ndërkombëtare, misioni i të cilave është diplomacia – një lloj veprimi kulturor – po aq sa edhe përpjekja për krijimtari.

Kjo na sjell te thelbi [raison d’etre] i ngjarjeve të tilla, si Lojërat Olimpike Teatrore të organizuara në Budapest në vitin e kaluar, ose te shumë nisma kulturore pan-evropiane të krijuara për të nxitur mirëkuptimin dhe për ta afruar kontinentin.

Dhe, nëse spektakli i garës me këngë në Eurovizion nuk e përmbushi këtë vit të njëjtin mision për t’u bashkuar përmes muzikës, një inskenim më i qetë, në të njëjtën natë, aspironte antantën ndërkufitare evropiane, por këtë herë përmes mediumit të teatrit.

Në qytetin italian të Goricës afër Venecies, përshtatja e romanit të vitit 1938 të Joseph Rothit, Varri i Perandorit [The Emperor’s Tomb], u shfaq si pjesë e Mittelfest-it, një festival vjetor i kulturës në kufirin italo-slloven. Vetë është i ndarë nga kufiri i dy vendeve të BE-së, duke u bërë Nova Goricë në anën sllovene. Të dy pjesët së bashku kanë statusin e Kryeqytetit të Kulturës Evropiane 2025, dhe ky produksion ishte i pari në trilogjinë e dramave të cilat do të shfaqen si në tokën italiane ashtu edhe në atë sllovene.

Epika e Rothit ndjek protagonistin përmes rënies së Perandorisë Austro-Hungareze – në Vjenën e viteve 1850, përgjatë Luftës së Parë Botërore dhe ngritjes së partisë naziste. Temat pasqyrojnë trashëgiminë e përbashkët të rajonit – pjesë e Austro-Hungarisë deri në Luftën e Parë Botërore dhe më pas i ndarë në dy pjesë pas formimit të Jugosllavisë. Deri në vitin 1994, njëra anë e qytetit ishte barrikaduar nga tjetra, në pengesën e njohur si Muri i Berlinit i mesit të Evropës. Rajoni prej kohësh ka shërbyer si pikë e fortë takimi midis Evropës Qendrore dhe Perëndimit.

Mittelfest-i u themelua në vitin 1991, me qëllimin e qartë për të përmbysur dyshimet reciproke dhe ndarjet politike të rajonit. Giacomo Pedini, drejtori artistik i festivalit, zgjodhi të vinte në skenë historinë e Rothit sepse, tha ai, “mbërthen frymën e kohës sonë”. Për të, historia e rajonit është fshirë nga të dyja anët dhe festivali është akt “kujtese”: “[Historia] filloi më 1945 për Slloveninë dhe Italia e shtypi gjithashtu historinë e vet”.

Është i admirueshëm motivimi për t’u bashkuar përmes kulturës, por a mund të përdoret me sukses si mjet diplomatik?

Në këtë rast, ambicia ishte shumë e mbytur. Shfaqja me regji të Pedinit ndihej si dramë e përkthyer besnikërisht në kostume, por ishte dramë e plogësht, e kujdesshme në paralelet politike dhe në distancë nga koha jonë – pavarësisht ngritjes bashkëkohore të ekstremit të djathtë, përfshirë edhe kthesën e Italisë në këtë drejtim. Ritmi i saj i ngadaltë nuk ndihmoi, duke u shtrirë në gati katër orë. Me atë që mbeti nga audienca, dola e lodhur nga teatri Teatri Komunal “Xhyzepe Verdi” [Teatro Comunale Giuseppe Verdi] në Goricë në orën 01:00 – nuk jam krejt e sigurt sesi produksioni foli për politikën e momentit kur kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, akuzohet për spastrimin e radhëve të armiqve të saj nga sektorët e artit dhe të kulturës.

Më dukej sikur ky produksion më kthente në një kohë dhe në një vend tjetër dhe nuk m’i hapte sytë te rezonancat bashkëkohore të dramës së Rothit – e të cilat janë të shumta. Nuk është fjala te zgjedhja e materialit burimor, por te trajtimi i tepërt i kujdesshëm i tij gjë që e bëri të jetë mundësi e humbur kot. Shpresoj se dy shfaqjet e ardhshme në trilogji, të cilat do të jepen në Slloveni në vjeshtë dhe në Itali në vitin e ardhshëm, do të jenë më të gatshme për të trajtuar historinë e kohëve të fundit. Duket se të paktën do të përpiqen për këtë: njëra është e vendosur në vitet 1960 të Perdes së Hekurt, tjetra në ditët e fundit të Bashkimit Sovjetik me historinë që përfshin një gazetar i cili hulumton një rast përdhunimi në Jugosllavi. Sepse, për mendimin tim, në këtë kohë nuk na duhen paralelet e zhdrejta përmes maskës së dramës së kostumeve – por, sfida e fuqishme përmes sigurisë relative që letërsia dhe skena ofron.

Kjo nuk do të thotë se ne domosdo kemi nevojë për shfaqje të reja, duke iu drejtuar një Evrope të cilën menjëherë e njohim se është e jona, e sotmja, megjithëse kjo do të ishte një qasje përpara. Drama historike, kur bëhet mirë, mund të jetë po aq konfrontuese.

Në të kaluarën, ndarjen ky festival e ka paraqitur shumë më të plotë. Nën drejtimin e regjisorit boshnjak të teatrit, Haris Pashoviq [Pašović], programi i tij nuk shmangu provokimet – edhe nëse objektivi i tij, siç thotë ai, ishte “të ndërtonte ura dhe jo mure (ponti, non muri)”. U përpoq t’ia jepte festivalit një teh radikal, mblodhi ansamble nga të dyja anët e kufirit dhe e mbushi programin me politikë. Ai gjithashtu foli kundër politikanëve vendorë kur ata u shprehën për ta ngritur sërish murin mes Italisë dhe Sllovenisë, për të ndalur kështu emigracionin – aq sa provokoi titujt e gazetave italiane, përfshirë këtë: “Pashoviq, the qafen e ik”!

Pashoviqi mendoi se do të pushohej nga puna për sinqeritetin që kishte, por e mbajti punën e vet dhe audienca e festivalit vazhdonte të vinte. Ajo që ka ndryshuar që atëherë është politika e botës reale. Aty ku emërimi i Pashoviqit u bë nën Partinë Demokratike, partia e djathtë e Ligës, e cila tani është në koalicion me Vëllazërinë e Italisë së Melonit, i fitoi zgjedhjet lokale menjëherë më pas. Shumë më tepër njerëz, në këtë rajon dhe më larg, tani duken dyshues ndaj “ndërtimit të urave dhe jo mureve”, më tha Gianni Barbacetto, gazetar veteran në gazetën e Romës, Il Fatto Quotidiano.

Ndryshimi i klimës politike, në mënyrë të pashmangshme mund të lë gjurmë te programet kulturore të financuara nga qeveria dhe të përcaktojë se sa nxitës në aspektin politik mund të jetë një festival teatri (Mittelfest subvencionohet nga rajoni Friuli-Venecia Xhulia). A është qëllimi për të pasur shkëmbim të sinqertë dhe ndoshta të vështirë të ideve, apo thjesht është gjest që lëmon debatet e vështira? Dhe, në çfarë shkalle financimi e përcakton këtë – a do të ishin më të guximshme produksionet, si ai i Pedinit, në ballafaqimin me çështjet ditore nëse paratë do të vinin nga një burim joqeveritar?

Jashtë skenës, dyshimi duket se shtrihet nën sipërfaqen e jetës së përditshme në këtë rajon: më thonë se kamionët që kalojnë kufirin kontrollohen nga frika për emigrantë të paligjshëm dhe për frikën ndaj terrorizmit. Thashethemet dhe teoritë e konspiracionit janë të shumta dhe flasin se shërbimet sekrete financojnë radikalizmin islamik në Bosnje dhe se këto forca mund të rrjedhin në Itali. Një shofer taksie tregon kazinotë, pranë të cilave kalojmë në Nova Goricë, dhe më thotë se të gjitha ato fshehurazi drejtohen si shtëpi publike.

Barbacetto thotë se paragjykimi i gjatë italian ndaj sllovenëve përmblidhet në përbuzjen e rëndomtë: shkavi [sciavi] ose skllav. Ai ishte në sheshin Transalpina në vitin 1994, kur u rrëzua muri kufitar. Sheshi është i rrethuar me gardhe dhe me plot mbeturina, mu në mes të manifestimeve për kryeqytetin kulturor të vitit 2025 [Go! 2025]. Barbacetto kujton ndjenjën e hapjes së dy botëve – veprimin sipas idesë ponti, no muri.

Nismat ndërkufitare në Evropë, për nga natyra duhet të jenë të qasshme dhe të përgjithshme për t’u pëlqyer nga audienca dygjuhëshe, dykulturore.

Por, në një kohë kur Evropa përballet me sfida dramatike globale, duke përfshirë luftën në Ukrainë, hijen e Donald Trumpit që po rikthehet në horizont, si dhe ngritjen e qëndrueshme të së djathtës ekstreme në të gjithë kontinentin, ne kemi nevojë që arti të jetë më shumë dhe jo më pak sfidues në aspektin politik.

Ndoshta organizimet e tilla të zhurmshme duhet të marrin një fletë nga libri i shkrimeve politike të Grahamit, ose në fakt nga mandati i mëparshëm i Pashoviqit i cili dukej se ishte i përcaktuar nga vullneti për të agjituar dhe ekspozuar brenda auditorit gjithçka që është e gabuar atje jashtë në botë. /Telegrafi/