Telegrafi

“Teatri Kombëtar” është “Toka jonë”

Në vitin 1953, ende djalë i ri. Kolë Jakova shkruan dramën “Toka jonë”. Drama vihet në skenë një vit më vonë. Premiera e saj u dha me 16 Janar të vitit 1954, në regjinë e Pandi Stillus. Dhe dhjetë vite më vonë, më 1964, do xhirohet si film nga Hysen Hakani.

Drama “Toka jonë” në shestimin e saj tematik e problemor fokusonte fenomenin e reformave komuniste në bujqësi, fill pas Luftës së Dytë Botërore; shpronësimet e fshatarëve të kamur apo kulakëve, dhe shpërndarjen e pronës së tyre, të rrëmbyer me dhunë, tek fshatarët pa tokë apo argatët.

Kam përshtypjen se aso kohe, por fatkeqësisht as më vonë, askush nuk e vuri re, madje as kritika, se Kolë Jakova kishte shkruar një vepër aq të mire, sepse ishte mbështetur mbi një strukturë solide dramatike, duke e dekontekstualizuar atë. Ai, si njeri thellësisht i kulturuar që ishte, edh pse komunist i thekur, kishte shkruar një vepër struktura narrative e së cilës ngjante si dy pika uji me “Hamletin” e Shekspirit.

A nuk kthehet Hamleti nga studimet në Kështjellën e Elsinorit në Danimarkë?

A nuk kthehet Murrashi nga lufta në fshatin e vet buzë lumit Mat?

A nuk mëson Hamlet nga fantazma se të atin ia ka vrarë i ungji, Klaudi?

A nuk mëson Murrashi nga Meti dhe shokët e tjerë se të atin, Gjokën, ia ka vrarë Tuç Maku, sivëllai i tij i gjakut?

A nuk mëson Hamleti se Klasudi ia ka vrarë të atin për t’u martuar me të ëmën Gertrudën dhe për t’i marrë kurorën, Mbretërinë?

A nuk mëson Murrashi se Tuçi ka molestuar Loken dhe do të marrë tokat e familjes?

Pra, duket sheshit se veprimi skenik ka të njëjtat predispozita dramatike në të dyja veprat.

Nëse Hamleti kërkon të verifikojë atë çfarë i ka thënë fantazma, nëpërmjet një inskenimi të një grupi aktorësh, Murrashi e verifikon nëpërmjet mbledhjeve të Këshillit Popullor.

Nëse Hamleti do ta marrë hakun i vetëm, Murrashi kërkon ta marrë nëpërmjet Partisë.

Dhe, në finale që të dy vriten. Toka ndahet dhe kaq mjafton që të gjithëve t’i kenë mbet në mendje batutat e fundit të Loke-Marie Logorecit: “Shikjo Marë sa e bukur asht toka jonë!”

Mirëpo, në fakt, dhe pavarësisht nga fundi optimist i Kolë Jakovës, me vrasjen e Hamlet-Murrashit, vritet edhe projekti hamletian, ai më i bukuri, më i miri, më i drejti. Vritet projekti për të vendosur drejtësi dhe rend.

A ka një njeri në këtë botë që nuk do donte të ishte një ditë të vetëm Hamlet-Murrash? Fatmirësisht, letërsia e madhe botërore është e mbushur me personazhe të tillë dhe fatkeqësisht, në të gjitha veprat e mëdha dhe të mira, projekti hamletian dështon…

Kaq shpesh dështon projekti hamletian dhe në mënyrë kaq të përsëritur dhe simetrike, saqë në vitin 1979, dramaturgu i madh gjermanolindor, Heiner Mueller, shkroi veprën e famshme në shtatë faqe “Hamletmakina”. Hamletmakina mund të konsiderohet si një pamflet kundër iluzionit vrasës, në kohën që njeriu mund të mbetet i pafajshëm, sepse siç ka thënë edhe Frank-Michael Raddatz: “Qëllimi i Müllerit është që përmes paraqitjes së dështimit të karaktereve të tij, të prezantojë një ringjallje themelore të marrëdhënieve sociale”.

Heiner Muller e nisë kësisoj tekstin e tij: “Isha Hamleti. Po rrija tek bregu dhe flisja me valët e shkumbëzuara blablabla. Prapa meje rrënojat e Evropës. Ranë kambanat për funeralin shtetëror: vrasësi dhe e veja çift. Me hap rreshtor ofiqarët ndjekin pas arkivolin e Kufomës së Lartë, duke vajtuar me kujë në këtë xhenaze të mjerë”.

Dhe, në fund të këtij reflektimi do dëshiroja t’ju ftoja të gjithëve ju të dashur lexues, që të ndaleni për një çast e të imagjinonit sesi kur të jetë shembur ky “Teatri jonë” i “Tokës kombëtare”, një djalosh shqiptar do të jetë kthyer nga studimet, nga studimet që sapo i ka nisë, e do t’i vijë përnatë vërdallë kullave me shpresën se do t’i dalë një fantazmë diku nga dritarja e katit dyzetekatër të kullës së katërt, për t’ia treguar të vërtetën…