Site icon Telegrafi

Teaoria pellazge, Skënderbeu i kulturës e Renesancës dhe vula sekrete e tij

Fotaq Andrea

E nisim këtë shkrim me një episod të bukur gjatë takimit tonë me grupin e veteranëve frankofonë shqiptarë në Strasburg, prill 1998, ardhur në kryeqytetin evropian në kuadrin e veprimtarive të Frankofonisë shqiptare për të vizituar Alzasën dhe institucionet evropiane. Ishin të gjithë emra të nderuar, që kishin dhënë kontribut të fuqishëm për emancipimin dhe progresin shoqëror, e ndër ta prof. Dhimitri Pilika, zbuluesi i dy vulave të Skënderbeut, të vulës zyrtare dhe vulës sekrete.

Në një çast gjatë shëtitjes së këndshme plot diell pranveror përpara “Pallatit Joséphine” në Orangerie (atë mëngjes kishte rënë pesë centimetra borë që i mahniti gjithë ish-liceistët veteranë të Liceut të Korçës tek shijuan kështu katër stinët e motit brenda një dite, aq sa dikush thirri: “Ky vend qenka i bekuar nga Providenca!”), në një çast pra, e “ngacmova” profesorin lidhur me teorinë pellazgjike, dhe ai ma priti me qetësi: “Mos i dëgjo fort frëngjit, nuk e honepsin lashtësinë pellazge! – Po pse, ia ktheva, Benloew me shokë e mbrojnë bukur këtë teori. – Nuk e kam fjalën për ata të djeshmit, po për këta të sotmit, modernët,” sqaroi. Dhe pas një ndërprerje nga dikush aty pranë që më këshilloi ta dëgjoja fjalën e profesorit, gjithnjë me qetësi ky vijoi: “Ç’është shkencore tek ata, modernët, duhet vlerësuar, por halli është se interesat politike gjithnjë kanë prishur punë në shkencë. Ndërsa klasikja mbetet gjithnjë klasike”. Ishte ky si një amanet i thjeshtë i pellazgologut tonë të madh që pas katër vitesh do ndahej në heshtje nga jeta…

Është e njohur se siliografia, shkenca që merret me studimin e vulave dhe emblemave, bën pjesë në shkencat tradicionale të historisë së artit. Po ashtu, është po aq e njohur se ekziston një lidhje organike e fuqishme midis vulave, shtampave, monedhave, medaljoneve, emblemave përdorur nga familjet e mëdha fisnike të Evropës që nga Mesjeta e hershme, dhe që ato i mbanin si shenja dalluese, personale e familjare, por edhe si shenja dekori e dekorimi me të cilat “vulosnin” kontributin e tyre në Histori. Lulëzonin, në tërë këta elementë, simbolet dhe kodet (shumë herë të fshehta), që përcillnin sa të dhëna individuale, aq edhe autoritet, pushtet e lavdi.

Kohët e fundit, në kuadrin e “Vitit Skënderbeu”, disa studiues, ndër ta profesori Lutfi Alia, i kanë përqendruar studimet e tyre në medaljonet më të hershme me portretin e Skënderbeut që datojnë – e vërtetuar shkencërisht – që nga koha kur ishte në jetë vetë kryeheroi shqiptar. Këto medaljone, siç kemi vënë në dukje në Album-Antologjinë tonë “Skënderbeu – 1413-2017”, që paraqesin portretet më të hershme të Kastriotit të Madh, “ngjasojnë në stil, në prerje dhe fizionomi tek japin pothuaj të njëjtin portret autentik të heroit sa ishte gjallë”. Përfundimisht, sot kemi edhe portretin origjinal të Skënderbeut, paraqitur në mënyrë të përkryer në miniaturën e kodikut “De Romanorum Magistratibus”, të Andrea Domenico Fioccos, Romë 1465, të cilit i kemi kushtuar shkrimin tonë “Kodiku i katërt në bibliotekën kastriotase me portretin origjinal të Skënderbeut” (maj 2018).

Tanimë lypset të themi se është i tejkaluar në kohë dhe arkaik konkluzioni se “nga të gjitha ata që na kanë mbetur prej Skënderbeut janë vetëm katër objekte: dy shpatat, përkrenarja veneciane dhe një libër lutësor”. Jo. Studiuesit e sotëm, të huaj e shqiptarë, me fakte e dokumente kanë zbuluar e vërtetuar edhe mjaft objekte të tjera fizike që kanë qenë drejtpërdrejt në përdorim nga Skënderbeu ose kanë dalë nga kancelaria e tij. Është e pamundur që heroi shqiptar të ketë pasur, për shembull, në përdorim, përgjatë një çerekshekulli betejash të panumërta, një, dy apo tri shpata; ai ka përdorur e thyer me qindra të tilla, farkëtuar enkas për të nga artizanë krutanë; ka pasur në çdo beteje gardën e vet besnike që e ruante me fanatizëm dhe sidomos ushtarë që e furnizonin me armë sa herë që i thyhej kordha. Fakti është se një shpatë e tretë skënderbejane me simbolikë të fuqishme, dhuratë për të nga papa Pali II, ruhet sot në Muzeun “Palazzo Reale” të Capodimontes në Napoli dhe i është bërë e njohur publikut që më 1940 nga Angiolo Bianchotti.

Nga ana tjetër, udhëtarë dhe kronikanë të huaj, kryesisht francezë, që kanë vizituar në shekujt XVIII-XIX kolonitë arbëreshe në Kalabri e Sicili, dëshmojnë po ashtu se në mjaft fshatra u tregonin shpata të kryeheroit shqiptar, madje edhe të thyera, që ata i ruanin me fanatizëm si relikte të çmuara. Sigurisht, nuk mungonte në kësi rastesh edhe ironia e të huajve për të thënë se jo çdo shpatë arbërore e shekullit XV ishte skënderbejane. Po nuk mungonte në kësi rasti edhe përgjigja e pinjollëve arbër për të thënë se ai, Kastrioti i madh, mbante përherë dy shpata brenda një milli dhe kishte përdorur e thyer në beteja po aq shpata e kordha sa përdorte e konsumonte lapsa e stilolapsa një intelektual a kronikan i ditës. Tekefundit, fakti historik është i tillë se tërë arbrit e emigruar në gadishullin Apenin (mbi 300 mijë vetë), bashkëluftëtarë të Skënderbeut, morën me vete krejt armët e tyre dhe gjithçka të vyer që kishin (sidomos ikonat) për të mos i lënë në duar të pushtuesit osman.

Është folur pak a shumë ndër vite edhe për “Librin e Uratave” (datuar në vitet 1450-1460) me emblemën kastriotase, një kodik ky që ka qenë në kancelarinë e Skënderbeut dhe që duhet të ketë shërbyer si libër lutjesh në kishëzën kastriotase të kështjellës së Krujës. Sot është vërtetuar katërçipërisht se Skënderbeu, si gjë të çmuar ka pasur bibliotekën e tij me kodikë të kohës (deri edhe enciklopedi të artit luftarak)! Ishte sa Skënderbeu i luftës së rrufeshme, aq edhe miku i kulturës, erudicionit, librit, një humanist dhe emancipues i shoqërisë arbërore, siç e vë në dukje Lamartini, orientalisti i madh frëng. Faktikisht, katër kodikë të shekullit XV, për të cilët kemi shkruar, njihen sot në zotërim të Skënderbeut, konkretisht: “Libri i Uratave”; “Libri i Skënderbeut”; “Libri i Petrarkës” dhe më në fund Libri i Fioccos “De Romanorum magistratibus”. E themi këtë për vetë faktin se Princi dhe mbreti shqiptar, i njohur si Atlet i Krishtit dhe Mbrojtës i qytetërimit evropian, ishte i barabartë me Shën Luisin e Francës dhe Zhan d’Arkën për nga bëmat e shkëlqimi, i barabartë me princërit dhe mbretërit e kohës që kishin edhe ata biblioteka e kancelari të pasur, ashtu sikurse Alfonsi V, i biri Ferdinandi I (me 268 kodikë të inventarizuar), dozhët e Venedikut, Huniadi dhe Matias Corvini, miku i madh i artit e i kulturës.

Mbi të gjitha, sot është vërtetuar më së miri se mori medaljonesh (të paktën tetë syresh) me portretin e Skënderbeut janë gravuar, derdhur e qarkulluar që në kohën e tij dhe janë jo vetëm dëshmi fizike ardhur nga epopeja e lavdishme skënderbejane, por edhe dëshmi historike e artistike të portretit të tij origjinal, që shpejt do pasohej nga dhjetëra e qindra portrete të tjerë, të ideuar, stilizuar e përpunuar nga emra të mëdhenj të pikturës evropiane e botërore.

Më në fund, vetë letrat dhe korrespondenca origjinale e Skënderbeut (për aq sa njohim deri më sot), sidomos me gjurmët e dy vulave të tij (zyrtare dhe sekrete), janë drejtpërdrejt “objekte fizike” që duhen radhitur e çmuar si objekte historike skënderbejane, krahas skicave dhe tablove me portretin e tij, ende të pazbuluara a të hamendësuara si të Bellinit, Polaiuollos apo Baltovinettit, piktorë të famshëm italianë të kohës së Skënderbeut.

Në tërë këtë mori objektesh fizike të kohës së Skënderbeut që përmendëm (dhe me siguri e ardhmja do ta shtojë një inventar të tillë), le të ndalemi pikërisht në atë që njihet sot si “Vula sekrete” (sigillum annulare secretum) e Skënderbeut.

Nuk dëshirojmë të bëjmë këtu historikun e gjetjes së saj që e ka bërë aq bukur i madhi Dhimitri Pilika në librin e tij “Pellazgët, origjina jonë e mohuar”. Por, thjesht do deshëm të theksojmë që në fillim se Pilika duhet kuptuar drejt kur vë në dukje: “Vula sekrete e Skënderbeut ka qenë një germa antike (gur i çmuar i ngulitur në unazë – ne do thoshim një oniks a jaspër, sipas praktikës së kohës!) që kishte të gdhendur takimin e Zojsit dodonas – nën tiparet e mjellmës – me një perri pellazge, Ledën. Së bashku me vulën zyrtare të Gjergj Kastriotit, ky myhyr i fshehtë u diktua [nënvizimi ynë, F.A.] më 1961 në arkivin e shkencëtarit rilindës sllovak Pavel Jozef Shafarik (1795-1861), që e pat gjetur afro njëqind vjet më parë në Raguzë…” (f. 101).

Pilika e thotë pra qartë se nuk kemi të bëjmë këtu me gjetje të vulës fizike të Skënderbeut, siç spekulohet lart e poshtë, por me gjurmën e saj të diktuar e depozituar në një bankë të Raguzës. Dhe domosdo, përderisa në shumicën e rasteve, sipas praktikës së kohës, vula zyrtare dhe ajo sekrete që garantonte konfidencialitetin më shumë se vetë monogrami, varrosej me trupin e personit që kishte ndërruar jetë, ose pastaj matriçja thyhej për të mos u përdorur e për të mos u falsifikuar dokumentacioni historik. Mbetej kështu vetëm gjurma në dyllë apo plumb, apo në çdo material tjetër ku lihej shenja e saj.

Por, Pilika shkon edhe më tej kur nënvizon se këtë vulë sekrete – që Skënderbeu e përdorte kryesisht në dokumente financiare (sic!) – Heroi “e pat trashëguar nga i ati, Gjon Kastrioti, i cili e kishte përdorur qëkuri si vulë, dhe me sa duket e ruante si amanet stërgjyshor kushedi prej sa brezash” (po aty, f. 101). Për të mbështetur këtë pohim, tepër joshës në pamje të parë, Pilika thekson jo pa qëllim: “U përcaktua, mbi baza shkencore [nënvizimi ynë], se myhyrin sekret Skënderbeu e pat trashëguar nga i ati”. Dhe vetëm kaq, asgjë më shumë.

Sigurisht, gjurmës së dyllit apo plumbit mund t’i bëhet studim, madje i hollësishëm, mbi bazë analizash. Sigurisht, mund të kërkohen edhe “simotra” të një vule të tillë nëpër arkiva e banka, që ndoshta mund të jenë ruajtur edhe fizikisht, me qëllim që të përcaktohet njëfarë hershmërie mbi bazë paralelizmi. Por, prapë, na duket si e vështirë të besohet se Skënderbeu e kishte këtë vulë të trashëguar nga i ati, brez pas brezi. Dhe ne kemi arsye për ta marrë disi me rezerva këtë pohim të prof. Pilikës. Për më tepër që Kristo Frashëri, historiani dhe eksperti i njohur i “Skënderbejadës” e vë njëfarësoj edhe ai në dyshim këtë hershmëri të vulës sekrete kur shprehet në mënyrë të tërthortë e të kursyer se: “Ç’e shtyu Skënderbeun të zgjidhte këtë temë mitologjike spartane [Leda me mjellmën Zeus], është e vështirë të zbulohet” (K. Frashëri, “Skënderbeu, Jeta dhe vepra” bot. Toena, f. 198).

Por, le t’i hyjmë analizës sonë në thellësi për të parë e zbuluar pikërisht se çfarë fshihet brenda dhe pas vulës sekrete të Skënderbeut, në atë gemë të gdhendur mjeshtërisht, futur në shasi të artë tetëkëndore me formë elipsoidale.

Skena e joshjes së Ledës nga mjellma Zeus, me tërë elementët mitologjikë që përmban, ka ardhur që nga Lashtësia e kohëve homerike dhe ka përbërë historikisht temën qendrore të mjaft piktorëve të famshëm botërore, nga Da Vinci, Rafaele, Veronese etj. deri te Salvadore Dali. Veçse skena tipike e Ledës dhe e mjellmës në vulën e Skënderbeut njihet për një ndërtim mjaft të veçantë: na e paraqet Hyrinë pellazge Leda në pozicion “callipyge”, domethënë “Ledë me vithe të bukura” sipas shprehjes së prof. C. Picard (fig.2). Kjo skenë, gjithë hirësi, hijeshi e hajthmëri, na ka ardhur nëpërmjet monedhave të lashta, sidomos ato të prera në kohën e perandorit Alexander Severus. Por, mbi të gjitha, skena na shfaqet në mozaikët romakë, kopje të të cilave ruhen sot në Museo del Prado të Madridit, në Vatikan etj., ndërkohë që mozaiku origjinal me të njëjtën skenë do zbulohej shumë më vonë në Nikozia, më 1972, dhe ruhet në Muzeun e Qipros.

E theksojmë që në fillim se e veçanta e kësaj Lede skënderbejane, që përbën edhe sekretin thelbësor të vulës sekrete është se kryet e saj nuk janë të mbuluara aspak me shami e flokët të lidhur topuz, siç e ka paraqitur gabimisht këtë Ledë ndonjë stilist shqiptar i stemave heraldike. Po ashtu, nuk është Leda e paraqitur me skicë në librin e K. Frashërit “Skënderbeu” (vep. e cit. f.197) me kryet e shfaqura pa një përcaktim e kuptim të qartë të mbajtjes së flokëve. Nuk është as Ledë me ndonjë kapë maqedonase të tipit kausia (causia), sikundër është thënë për kapën e Skënderbeut në portrete të tij. Jo. Është pikërisht mbretëresha Leda, kjo Zojë e Zotneshë pellazge, e ëma e vëllezërve binjakë Dioskurë, Poluksit dhe Kastorit, me kryet mbuluar me kapuçin e famshëm frigin, atë kapuç karakteristik, deri edhe qelipoç si qylaf labi e qylaf gegu që do ta mbanin djemtë e saj, njëkohësisht edhe djemtë e Zojsit dodonas, në mbrojtje të vegjëlisë, e sidomos të detarëve nga rreziqet.

Është po ai kapuç frigin (bonnet phrygien) i Anadollit të lashtë, plisi apo pileusi i skllevërve të çliruar romakë dhe që do të bëhej më vonë edhe simbol i Revolucionit francez dhe i lirisë në Shtetet e Bashkuara. E më tej, është po ai kapuç iliro-pellazg, po ajo takije stërgjyshore që haset në monedhat e Dyrrahut të lashtë dhe mbi kryet e Orfeut të mozaikut të Durrësit, dhe që paralajmëron tashmë kapelen e famshme albanoja, në ngjyrë të kuqe apo të bardhë, të cilën garda skënderbejane dhe stradiotët shqiptarë do ta lartësonin edhe një pëllëmbë më shumë për ta mbajtur në kokë gjatë betejave të stuhishme si shenjë dalluese. Është tekefundit kapuçi i parapëlqyer i vetë Skënderbeut, që e ka mbajtur edhe ai mbi krye sa ishte gjallë, siç e shohim në portret e tij të hershme!

Po çfarë është dhe çfarë përfaqëson konkretisht ky kapuç me formë kaq të veçantë, maja karakteristike e të cilit shkon sa përpjetë, aq edhe para, prapa, majtas, djathtas? Ku qëndron mitikja, mistikja dhe simbolika e tij dhe çfarë të veçante përmban tek vula dhe tek portretet e Skënderbeut?

Së pari, Leda e vulës së Skënderbeut me kapuç frigin përbën domosdo një simbol, apo një njësi heraldike, të themi, dhe është tërësisht unikale, që do të thotë se në asnjë rast tjetër nuk do të haset historikisht në heraldikë a vula një Ledë e tillë me këtë kapuç karakteristik dhe me krejt kurrizin të zhveshur siç jepet në vulën sekrete.

Së dyti, kjo vulë duhet të jetë e porositur drejtpërdrejt nga Skënderbeu tek artizanët e Venedikut, Firences a Raguzës, për të shfaqur nëpërmjet kësaj Lede idenë e tij madhore e sublime të prejardhjes së arbërve nga pellazgët e lashtë, dhe drejtpërdrejt nga friginët e Azisë së Vogël apo Anadollit, nga vendi i skitëve (skythëve) e albanëve, nga ai Anadoll i pushtuar nga osmanët, si për t’u thënë këtyre: “Të parët e atyre Trojeve që keni pushtuar ju, jemi ne, arbrit dhe friginët e moçëm, që nuk kemi frikë nga ju!” Sepse, në fakt, a nuk shkroi Barleti për origjinën e arbërve nga Skitia dhe a nuk i këndoi Ronsardi skitëve trima të Skënderbeut? Kur dihet tashmë se ishin fiset pellazge parailire ato që shtriheshin në Lashtësi gjer në Azinë e Vogël dhe se iliro-arbërit shqiptarë të Ilirikumit kishin lënë gjurmët e tyre të hershme edhe në atë vend të skitëve, friginëve, kolkidëve e albanëve të atjeshëm, në atë vend të amazonave, atje ku fëmijët “lindnin me flokë të bardha e sy të kaltër”.

Së treti, kjo vulë, si rizbulim i Lashtësisë, si kujtim i ringjallur i saj dhe si simbol i personalitetit politik e juridik të Skënderbeut (po aq sa vetë shqiponja dykrenore e vulës zyrtare), përcjell në Histori nëpërmjet figurës së mjellmës një mesazh paqeje, purifikimi, bardhëllimi e dashurie, kur si pëllumbi e si mjellma njihen për një simbolikë të tillë. Veçse te simboli mjellmë, shpendi i shenjtë i Apolonit, simboli i muzës, bukurisë, shpirtit, simbol sa sublimes aq edhe purifikues, shohim tashmë edhe diçka hyjnore (bashkimin e Zeusit me Ledën) për të dhënë një Ledë po aq “tokësore” sa “Venera e përgjumur” e Giorgiones, si një shtojzovalle me mes të këputur – “Ledë – Oh e Lehta flutur!” do thërrisnim poetikisht nga shpirti. – Është kështu një Ledë nuse mali arbërore, Dianë a Zanë e dikurshme, që rrinte e kundronte bjeshkëve dhitë me bri të arta për t’ua shtuar fuqitë kreshnikëve. A nuk është dhënë historikisht për herë të parë vetë figura e Donika Kastriotit shoqëruar nga dhitë briarta që do bëheshin po ashtu edhe simbol i përkrenares skënderbejane?! Ja ku puqen tërë elementët heraldikë, që nuk janë aspak të rastësishëm.

Së katërti, e rrjedhimisht, Leda dhe mjellma e vulës sekrete është edhe simbol i mëmësisë, që lindi gjithësinë nga veza e saj hyjnore dhe po se po heronjtë homerikë, Helenën dhe trimat e Trojës, por lindi edhe pasardhësit e tyre, kreshnikët ilirë e arbër. Është pra simboli i gruas ideale, simboli i dashurisë, i përkushtimit dhe përkujdesjes, tek shenjtërohet vasha arbërore, gruaja e merakosur për fatin jo vetëm të “Mjellmës-Zeus” të trishtuar, por edhe të një shoqërie të tërë fatkeqe të kohës, që po njihte vetëm luftëra e qëndresë të pandërprerë. E më tej, është po ashtu një Ledë mitike me nudo artistike, si Eva e Parajsës, që orvatet të mbulojë vithet plot hir me tisin e shenjtë, atë tis që do mbulonte vetë Krishtin e zhveshur.

Kësisoj, Leda gjysmë e zbuluar e vulës së Skënderbeut bëhet njëfarësoj mesazhere e një emancipimi të fuqishëm shoqëror, kur dihet se shoqëria e kohës së Skënderbeut po dilte nga Mesjeta e rëndë e grave mbërthyer gjer në grykë me tesha, dhe kur Treçentoja e famshme italiane kishte paralajmëruar tashmë epokën e re të Rilindjes dhe të Humanizmit dhe kur nudoja artistike do të hyjnizohej, krahas bukurisë së trupit të zhveshur e të çliruar të gruas evropiane të rilindur. Pra, me këtë vulë unazë, dokumentuar për herë të parë më 1450, me këtë Ledë rilindëse, vetë Skënderbeu na shfaqet si pararendës e promotor i krejt proceseve emancipuese të shoqërisë arbërore, për përfshirjen e trojeve të bashkuara të shtetit të tij në Rilindjen evropiane. Kësisoj, vula sekrete, përtej një simbolike të thjeshtë me zanafillë nga Lashtësia, dëshmon për shkallën e lartë të emancipimit shoqëror në shtetin e Arbrit. Dhe me të drejtë studiuesi I.S.Karanxha shtron çështjen se duhet të jetë Skënderbeu në Krujë ai që iu rikthye i pari mitit të Ledës me mjellmën, kur dihet se skulptori fjorentin Averlino, i quajtur Filaret, nuk do të vononte ta pasqyronte gjerësisht në artin ikonografik italian e evropian legjendën e Ledës (në vitet 1450-1460), legjendë që do të përhapej artistikisht në shkallë të gjerë aty nga fundi i shekullit XV.

Sikurse theksuam më lart, vetë Skënderbeu, krahas beretës italiane “alla Caramagnola”, ka mbajtur sa plisin shqiptar me bordurë gëzofi, aq edhe kapuçin frigin të Ledës së vulës sekrete. E shohim këtë kapuç në disa gravura të lashta të portretit të kryeheroit, që datojnë në shekullin XVI për të ilustruar botimet frëngjisht, gjermanisht e anglisht të Barletit, madje kapuç me të njëjtën fortesë gëzofi (bourrelet) si te Leda e vulës, një veçori kjo tipike e këtij kapuçi, një detaj më shumë që nuk ka si të mos na tërheqë vëmendjen.

Në fakt, ka qarkulluar kohët e fundit në internet nga blogerë shqiptarë të pasionuar pas madhështisë së Heroit kombëtar një portret shumë i bukur i Skënderbeut me ngjyra e me kapuç frigin, tepër domethënës për shumë arsye: portret pa emër autori, pa datë, kur dihet se portretet klasike përgjithësisht nuk mbanin emrin e piktorit. Po ku qëndron e veçanta e këtij portreti që nuk është komentuar ende nga ndonjë studiues? Për më tepër që ky portret zbukuronte kohët e fundit edhe sallën e Institutit albanologjik të Prishtinës në një veprimtari për “Vitin Skënderbeu”.

Nga sa vihet re, portreti duhet të jetë realizuar në velin (lëkurë viçi). Përmban frizura dhe zbukurime ari (dhjetë të tilla, pesë lart dhe pesë poshtë) me tematikë kryesisht fetare, ku dallon simboli i kryqit, e mbi të gjitha, të katër skajet përmbajnë po në ar, shqiponjën skënderbejane me krahë përpjetë dhe trup të plotë, si dhe me kurorë mbretërore përsipër, çuditërisht pa yllin me gjashtë cepa. Shqiponja dykrenore shfaqet kështu tepër e veçantë dhe është e qarkuar në formë rrethi me frizurë po të artë. Krejt portreti qarkohet në formë ovaleje dhe na jep një Skënderbe më se origjinal, meso-burrë të hijshëm me mjekër të bardhëlleme, aspak plak të moçëm e legjendar, siç jepet zakonisht në gravurat e fillim shekullit XVI, por një figurë mbi të gjitha me kapuçin frigin të Ledës, dhe më afër miniaturës së Fiocco-s për nga mosha, gjë që flet për një portret ndoshta të shekujve XV-XVI dhe realizuar nga dorë mjeshtërore. E gjithë tabloja kuadratohet sërish nga frizurë e plotë ari, gjë që ia shton edhe më shumë vlerën tablosë, si një vepër luksoze e nivelit të lartë, që duket si e porositur për një qëllim të caktuar. Me një sy më hulumtues, vepra shfaqet edhe si mbulesë kodiku a libri të shtypur, gjë që e bën atë akoma më të mistershme.

Me shpresë se së shpejti, do kemi të dhëna më konkrete dhe interesante për këtë portret të hershëm të Skënderbeut, e mbyllim këtu shkrimin tonë për misteret e vulës sekrete të Skënderbeut, që u përpoqëm t’i zhbirilojmë në kuadër hipotetik, pa pretenduar aspak për vërtetësi absolute, por gjithnjë duke respektuar për aq sa mundëm kriteret shkencore të heraldikës krahasuese dhe të vetë siliografisë.

Exit mobile version