Mund të jetë e rrezikshme, ja kur duhet të shkoni te mjeku
Shumë nëna të ardhshme, rreth 50-60 për qind e tyre, kanë të përziera të lehta në shtatzëninë e hershme. Mirëpo, ndonjëherë këto të përziera mund të jenë shumë të theksuara.
Gratë shtatzëna vjellin disa herë në ditë dhe në rastin e toksikozës së rëndë, siç quhen të vjella të tepërta, ndodh që të humbasin tetë ose më shumë kilogramë.
Ekzistojnë tri shkallë të ashpërsisë së toksikozës së hershme në shtatzëni.
Në rastet më të lehta, gratë shtatzëna nuk vjellin më shumë se pesë herë në ditë, megjithëse këshillohet patjetër që edhe atëherë të konsultoheni me mjekun, transmeton Telegrafi.
Nënat e ardhshme mund të humbin peshë, por jo më shumë se dy ose tre kilogramë dhe rezultatet e analizës së gjakut dhe urinës janë krejtësisht normale. Në këtë rast nuk ka nevojë që gruaja shtatzënë të shtrohet në spital, ndërkohë që toksikoza e shkallës së dytë tashmë kërkon trajtim spitalor.
Kur bëhet fjalë për shkallën e dytë, të vjellat ndodhin deri në dhjetë herë në ditë, marramendja dhe ndjenja e dobësisë janë pothuajse konstante dhe acetoni është i pranishëm edhe në urinë.
Në vetëm një javë, në raste të tilla, nënat e ardhshme mund të humbasin më shumë se tre kilogramë.
Toksikoza e rëndë është një gjendje e rrezikshme dhe për fat të mirë shumë e rrallë. Në këtë fazë, gratë shtatzëna vjellin deri në 20, 25 herë në ditë, nuk mund të hanë normalisht, si dhe shfaqet edhe dehidratimi. Pesha e trupit mund të reduktohet nga tetë deri në dhjetë kilogramë ose më shumë. Metabolizmi është i shqetësuar, acetoni dhe proteinat zbulohen në urinë, si dhe rezultatet e analizave të gjakut nuk janë të sakta.
Shkaqet e toksikozës
Nuk është plotësisht e qartë se çfarë shkakton toksikozën e hershme ose të vjellat e tepërta gjatë shtatzënisë. Sipas një versioni, gjatë shtatzënisë ka ndryshime në funksionimin e sistemit nervor dhe ndryshime të shumta për shkak të hormoneve. Të vjella më serioze ndodhin shpesh për shkak të rritjes së nivelit të hormonit hCG të prodhuar nga placenta.
Besohet gjithashtu se sistemi imunitar luan një rol në këtë, sepse embrioni përmban disa antigjene, kështu që trupi i gruas shtatzënë reagon duke aktivizuar disa mekanizma mbrojtës. Gjenetika, çrregullimet metabolike dhe mungesa e disa vitaminave në trup mund të kontribuojnë gjithashtu.
Rreziku i toksikozës së hershme është më i lartë tek gratë që kanë vuajtur nga sëmundje kronike të sistemit gjenitourinar, tretës ose nervor, mëlçisë, gjëndrës tiroide para shtatzënisë. Gjithashtu, ekspozimi i shpeshtë ndaj stresit, çrregullimet e gjumit, dieta jo e shëndetshme, pirja e duhanit kontribuojnë gjithashtu në zhvillimin e kësaj gjendje. /Telegrafi/