Mysafiret në edicionin e sivjetmë të ndarjes së çmimeve BAFTA vendosën të visheshin me të zeza, në shenjë solidariteti me fushatat “Time’s Up” dhe “Me Too”.
Disa prej yjeve hollivudiane ishin shoqëruar me aktivistët për të drejtat e njeriut dhe për barazi gjinore, kështu Angelina Jolie ishte shoqëruar me shkrimtaren dhe producenten e lindur në Kamboxhia, Loung Ung.
Shumë nga të pranishmit i kishin mbajtur edhe simbolet e “Time’s Up” kushtuar viktimave të keqtrajtimit dhe shfrytëzimit seksual.
Në ceremoninë e çmimeve BAFTA të gjithë i janë referuar luftës për të drejtat e njeriut, barazisë gjinore dhe respektit ndaj femrave. Kësaj teme i është dhënë rëndësi pas skandalit për abuzime seksuale në Hollywood.
Përjashtim nga kodi i veshjes kishte bërë Kate Middleton, e cila kishte veshur një fustan të gjelbër të errët të dizajnuar nga Jenny Packham.
Si anëtare e familjes mbretërore, ajo është e inkurajuar që të mos mbajë qëndrime politike në lidhje me çështjet e caktuara.
Kujtojmë se “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri” është shpallur filmi më i mirë në edicionin e sivjetmë të ndarjes së çmimeve britanike. Filmi, i cili ishte i nominuar në tetë kategori, fitoi pesë çmime.
Regjisori më i mirë u shpall Guillermo del Toro për filmin “The Shape Of Water”, i cili ka qenë i nominuar në 12 kategori.
Frances McDormand u shpall aktorja më e mirë në rol kryesor (“Three Billboards Outside Ebbing, Missouri”), derisa Gary Oldman mori çmimin për aktorin më të mirë (“Darkest Hour”). /Telegrafi/