Nga: Andrew Nagorski
Shumica e rusëve nuk kanë nevojë të binden se fitorja rraskapitëse e Ushtrisë së Kuqe në Stalingrad ishte ngjarja më e rëndësishme e Luftës së Dytë Botërore. Shumë historianë perëndimorë bien dakord se ajo ishte pika e kthesës në Frontin Lindor, dhe kjo do të thotë se nuk ka rrezik të mbivlerësohet rëndësia e saj.
“Beteja e Stalingradit është për mendimin tim akti më tronditës i qëndresës njerëzore, sakrificës dhe armëve në historinë e luftës”- shkruan historiani britanik Iain MacGregor.
Por, në librin e tij të ri, fryt i hulumtimeve të kujdesshme, “Fari i Stalingradit: E vërteta e fshehur në zemër të betejës më të madhe të Luftës së Dytë Botërore”, MacGregor thekson se “mitizimi i luftës për qytetin e Stalinit, mund të shtrembërojë ndonjëherë historinë e vërtetë, që në vetvete është pa mëdyshje heroike”. Sidomos në një kohë kur Vladimir Putini po evokon kultin e Luftës së Madhe Patriotike, siç quhet në Rusi Lufta e Dytë Botërore, për të justifikuar pushtimin e tij katastrofik të Ukrainës, MacGregor argumenton se është jetike ndarja e fakteve nga trillimi propagandistik.
Lufta e egër për kontrollin e qytetit buzë Vollgës, i njohur sot si Vollgograd, zgjati nga fillimi i shtatorit 1942 deri më 2 shkurt 1943. Humbjet e trupave nga të dyja anët ishin në qindra mijëra. Statistikat zyrtare numërojnë 64 224 të vdekur civilë në luftime dhe shumicën e ndërtesave të shndërruara në gërmadha.
“Por, Stalingradi e prishi ciklin e fitoreve të vazhdueshme të Gjermanisë naziste, duke e bërë çështje kohe që Aleatët do t’i mposhtnin përfundimisht nazistët”, thekson historiani.
Me sa duket, beteja për Moskën, e cila ishte edhe më e madhe sa i përket numrit të trupave të përfshira dhe shkallës së viktimave, e kishte thyer më herët atë cikël. Por, Mekgregor ka të drejtë kur shpjegon arsyen se përse çarja e rrethimit gjerman të Moskës – që nuk e arriti synimin e tij, edhe pse njësitë më të avancuara arritën deri në periferi të qytetit – ishte larg të qenit një fitore vendimtare për Stalinin.
MacGregor përmend shumë nga gabimet e tij fillestare, duke filluar me refuzimin për të besuar se Hitleri ishte gati të thyente Paktin Nazisto-Sovjetik duke e pushtuar BRSS-në, gjë që i dha mundësi Wehrmacht-it të shënonte fitoret e hershme të cilat shkaktuan panik në kryeqytetin sovjetik.
Ndërkohë, Stalingradi ishte një triumf më mbresëlënës, duke e bërë atë “gurin e provës për çdo lider rus”, shkruan historiani britanik. E, megjithatë, ajo që ndodhi në të vërtetë nuk ishte asnjëherë e mjaftueshme për propagandistët sovjetikë. Ata u ndien të detyruar që t’ia përcillnin publikut një rrëfim të paturpshëm heroik, që anashkalonte tërësisht të vërtetat e papërshtatshme. Ky studim i vlefshëm i shërben shumë procesit të korrigjimit dhe vendosjes së ekuilibrit midis mitit dhe realitetit.
MacGregor përshkruan në librin e tij përpjekjet e mëdha të sovjetikëve për të mposhtur Ushtrinë e Gjashtë të feldmarshallit Friedrich Paulus, teksa ajo arriti në qytet. Luftimet shtëpi më shtëpi, fabrikë më fabrikë ishin të përditshme, dhe gjenerali Vasili Çuikov, komandanti i Ushtrisë së 62-të, adoptoi shpejt taktikën e “përqafimit të armikut”, duke i pozicionuar trupat e tij sa më afër gjermanëve, dhe duke i goditur nëpërmjet grupeve të vogla lëvizëse.
Për të ilustruar pikëpamjen e tij rreth përzierjes së fakteve dhe trillimeve, MacGregor ndalet tek një nga episodet më legjendare të Betejës së Stalingradit: operacionin e Ushtrisë së Kuqe për të marrë kontrollin e një ndërtese strategjike të koduar me emrin “Fari”. Në versionin zyrtar, rreshteri Jakov Pavllov drejtoi një grup të vogël burrash, që përfaqësonin një përzierje simbolike të kombësive sovjetike. Ata hynë në godinë dhe vranë ushtarët gjermanë. Më pas, “Shtëpia e Pavllovit”, siç u bë e njohur gjerësisht, u vlerësua nga gazeta e Ushtrisë së 62-të si “një simbol i luftës heroike të të gjithë mbrojtësve të Stalingradit”. Duke e investiguar këto ngjarje, MacGregor zbuloi të dhëna të reja dhe intervistoi djalin e Pavllovit dhe nipin e Çuikov. Derisa ai nuk dyshon se Pavllovi ishte një luftëtar i fortë, ai zbuloi prova kontradiktore se kush e mori në të vërtetë komandën e farit – dhe nëse legjenda mbi atë betejë i përafrohet asaj që ndodhi në të vërtetë. Ai arriti në përfundimin se “lidhja e imagjinuar e historisë u konsiderua më e rëndësishme sesa e vërteta aktuale”.
Historiografia zyrtare sovjetike i anashkaloi taktikat e terrorit që Stalini përdori kundër trupave të tij për të zbatuar urdhrin e tij “Asnjë hap prapa!”. NKVD-ja, paraardhësja e KGB-së, ngriti “detashmente bllokuese” prapa vijës së frontit për të ekzekutuar çdo ushtarë që përpiqej të tërhiqej. As Hitleri nuk i kurseu njerëzit e vet. Pasi po shihej se forcat e tij ishin mposhtur, Paulusi iu lut Hitlerit t’i jepte leje që të dorëzohej. Përgjigja e Firerit ishte: “Ushtria duhet të mbajë pozicionin e saj deri në njeriun e fundit dhe deri në plumbin e fundit”. Derisa MacGregor fokusohet në vendosjen e rekordit për Ushtrinë e Kuqe, ai hedh poshtë një mit popullor gjerman sipas të cilit Wehrmacht-i nuk kishte asnjë lidhje me Holokaustin. Ai vëren se në kohën e Betejës së Stalingradit, më shumë se dy milionë hebrenj në territoret e pushtuara kishin vdekur tashmë, teksa Ushtria e Gjashtë dhe njësi të tjera ushtarake ishin zbatues të ekzekutime në masë. Me gjithë ngjashmëritë midis tyre, Stalini dhe Hitleri rezultuan se ishin udhëheqës shumë të ndryshëm në kohën e luftës.
Përballë pengesave gjithnjë e më të mëdha, Hitleri fajësonte gjithmonë gjeneralët e vet, duke mos pranuar gjykimet e tij të gabuara. Kur e shkarkoi gjeneralin Franz Halder, shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ai deklaroi: “Tani për të zgjidhur problemet në frontin lindor ne kemi nevojë për zellin nacionalsocialist, në vend të aftësisë profesionale”.
Edhe Stalini kërkonte të nxiste zellin ideologjik, por MacGregor ofron prova se ai kishte filluar të mësonte nga gabimet e tij. Ai pranoi disa nga rekomandimet e gjeneralëve të tij më të lartë, madje edhe oficerëve të rinj iu lejua “një farë iniciative në terren për të marrë vendimet e tyre”. Që të gjitha këto kontribuan në arritjen e fitoreve që e kthyen fatin e luftës. Dhe Stalingradi ishte shembulli më spektakolar. /Burimi: “Wall Street Journal”/Në shqip nga: Bota.al/