Kapiteni i Prishtinës për sezonet e fundit, Mërgim Pefqeli, pritet ta vazhdojë karrierën në Kosovë ose Shqipëri pasi ofertat në drejtim të tij nuk po mungojnë.
Pefqeli ishte pjesë e Prishtinës në tri periudha, duke qëndruar për gjashtë sezone : 2016-2019; 2020/21 dhe 2022-2024, duke bërë 168 paraqitje dhe duke kontribuuar me 26 gola dhe 9 asistime.
Ai në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se është duke i shqyrtuar ofertat në drejtim të tij dhe brenda disa ditësh do të vendos.
“Janë disa oferta, si nga Kosova, po ashtu edhe nga Shqipëria. Jam duke i analizuar dhe së shpejti do të vendosi për të ardhmen time”, ka thënë shkurt Mërgim Pefqeli për Telegrafin.
Sezonet e fundit, Pefqeli ishte i preferuari i tifozave prishtinas ‘Plisat’, ku nuk mungonin këngët për të, duke e ditur që si lojtar ai e ka nisur karirrën nga moshat në klubin më të madh në vend.
Ai nuk e vazhdoi kontratën pas bisedimeve me klubin dhe tani duket gati për një aventurë të re.
Pefqeli përveç golave dhe asistimeve, njihet edhe për shpirtin e garës, pasi ai lufton për çdo top nga minuta e parë deri në fund.
Mesfushori sulmues ka bërë karrierë në klube si Hajvalia, Trepça, Trepça ’89, Llapin dhe Malisheva. /Telegrafi/