Telegrafi

Të varur nga importi

Biznesi në Kosovë vazhdon të orientojë veprimtarinë e zhvillimit të vet afarist drejt tregtisë, duke “anashkaluar” industrinë prodhuese.

Kjo nënkupton se vendi do të vazhdojë të varet nga importi, madje edhe për produktet e përditshme të konsumatorëve. Se sektori i tregtisë është më atraktiv për bizneset, tregojnë edhe statistikat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Sipas kësaj Agjencie, rezulton se varësisht sektorëve ekonomikë, numri më i madh i ndërmarrjeve i takon tregtisë me mbi 16 mijë ndërmarrje, kurse industria përpunuese rezulton me afër 4000 mijë ndërmarrje, pasuar nga sektori i shërbimeve me ushqim, ndërtimtari dhe të tjera.

Të dhënat nga tregtia e jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për muajin mars 2015 prej 171.8 milionë euro krahasuar me deficitin prej 179.3 milionë euro me periudhën e njëjtë të vitit 2014. Eksporti mbulon importin 13.3 për qind.

Eksporti i mallrave në muajin mars 2015 kishte vlerën 26.3 milionë euro, ndërsa importi 198.1 milionë euro, është një rritje prej (13.9 për qind) për eksport si dhe rënie prej (-2.1 për qind) për import duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014. /Zëri/Telegrafi/