Vëllai i madh i Paul Pogbas, Mathias, ka pranuar se e kishte shtyrë yllin francez që të largohej nga Manchester Unitedi drejt Juventusit në vitin 2012.
Asokohe, mesfushori u largua nga Djajtë e Kuq si lojtar i lirë dhe u zhvillua në një futbollist klasi te Zonja e Vjetër.
Jose Mourinho e riktheu në vitin 2016 në Old Trafford për një transferim rekord, ndërsa vëllai i lojtarit ka treguar se ai nuk do të ishte larguar po të mos ishin këshillat e tij.
I pyetur nga So Foot nëse e kishte shtyrë Pogban që të nënshkruante për Juventusin, Mathias është shprehur: “Jo vetëm një shtytje e vogël, por ishte falë meje që ai nënshkroi atje!”.
“Unë e binda 100 për qind. Dhe shikoni se çfarë lojtari është bërë. Në Mançester i jepnin premtime të rrejshme”, ka shtuar vëllai i futbollistit.
Ndërsa kur është pyetur se çfarë roli luan në karrierën e Pogbas, ai është shprehur: “Rolin e vëllait të madh, kaq e thjeshtë – asgjë më shumë, asgjë më pak. Do ta këshilloj derisa të vdes”. /Telegrafi/