Autori i armatosur që vrau shtatë persona në një ndërtesë të Dëshmitarëve të Jehovait në Hamburg ishte një ish-anëtar i kongregacionit, ka thënë policia gjermane.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, 35-vjeçari, i njohur si Philip F, u largua nga komuniteti fetar 18 muaj më parë me “ndjenja të këqija”, tha kreu i policisë së Hamburgut, Matthias Tresp në një konferencë shtypi të premten.
Një letër anonime iu dërgua policisë në lidhje me të në janar duke thënë se ai mund të vuante nga një sëmundje mendore dhe se atij nuk duhet t’i lejohej qasje në armë pasi nuk po merrte ndihmë mjekësore.
Ai kishte një licencë për “gjuajtje sportive” dhe u raportua se ishte ndjerë i zemëruar kundër njerëzve fetarë, veçanërisht Dëshmitarëve të Jehovait dhe ish-punëdhënësit të tij, tha z. Tresp.
Personi i armatosur nuk ishte i martuar, kishte jetuar në Hamburg që nga viti 2014 dhe më parë kishte studiuar në Mynih.
Në përgjigje të letrës, më 7 shkurt dy oficerë kontrolluan banesën e tij pa paralajmërim dhe gjetën pistoletën e tij gjysmë automatike të ruajtur mirë në kasafortë.
Ata nuk panë asnjë provë të sëmundjes mendore, kështu që nuk kërkuan një vlerësim shëndetësor, thanë autoritetet.
Ai u përshkrua atëherë si “bashkëpunues” dhe “i lumtur për të dhënë informacion”.
I dyshuari kishte raportuar krime, përfshirë mashtrimin, por vetë nuk kishte histori kriminale dhe nuk ishte i njohur ndryshe për policinë, shtuan ata, shkruan Sky News, përcjell Telegrafi.
Gjendet i vdekur me armë pranë tij
Philip F. u gjet i vdekur me të njëjtën armë pranë tij brenda ndërtesës së Dëshmitarëve të Jehovait në lagjen Gross Borstel pak pas orës 21:00 të së enjtes.
Ai qëlloi 10 herë drejt një gruaje brenda makinës së saj në parkingun jashtë, por ajo shpëtoi. Njëzet të tjerë u larguan nga vendi i ngjarjes të palënduar.
I dyshuari hyri në ndërtesë pasi qëlloi në një dritare dhe depërtoi përmes saj përpara se të vraponte në një sallë adhurimi në katin e parë.
Më pas, shtatë persona, përfshirë një foshnjë të palindur, u qëlluan për vdekje atje përpara se ai t’ia kthente armën vetes.
Tetë të tjerë u plagosën, katër prej tyre rëndë, nga një kongregacion prej 50 vetash.
Rreth orës 12:30 të së premtes, policia kontrolloi banesën e tij për herë të dytë ku gjetën 15 karikatorë, 200 fishekë, laptopë dhe celularë.
Ai u gjet me nëntë dy karikatorë bosh, dy në dorë dhe 20 të mbushur në çantën e shpinës.
Motivi i tij për sulmin nuk është ende i qartë, por autoritetet kanë përjashtuar ndonjë gjë politike, tha kreu i policisë në konferencën për shtyp. /Telegrafi/