Policia e Kosovës për rajonin e Vushtrrisë bën të ditur se të martën rreth orës 17:20 është pranuar informata për të shtëna me armë zjarri.
Policia njofton se me të pranuar informacionin janë ndërmarrë veprime të shpejta policore, ku pas një kohe të shkurtër në rrugën “Jeton Terstena” në Vushtrri është identifikuar vendi nga ku ishin dëgjuar të shtënat në një aheng dhe në cilësi të provave materiale është sekuestruar një armë e shkurt EKOL, një karikator i zbrazët dhe tri gëzhoja.
Në cilësi të të dyshuarit është intervistuar B.K., 57 vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili dyshohet se ka shtënë me armë.
Pas intervistimit me urdhër të prokurorit të rastit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndaj tij është iniciuar rast për veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll apo në posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim i armës”. /Telegrafi/