Pesë persona janë vrarë dhe 21 të tjerë janë plagosur pas të shtënave pranë qyteteve binjake të Midland dhe Odessa në perëndim të Teksasit.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, sulmuesi i cili hapi zjarr pasi makina e tij u ndalua nga policia të shtunën pasdite, u vra nga policia pasi u ndoq në një parkim në një kompleks argëtimi.
Deri më tani nuk është bërë i ditur identiteti i viktimave, por njëri prej tyre është një djalë 17 muajsh që ishte qëlluar në fytyrë dhe u dërgua në spital, thanë zyrtarët në spitalin e Qendrës Mjekësore në Odessa.
Kjo ishte ngjarja e dytë me të shtëna në Teksas gjatë një muaji. Më 3 gusht një njeri i armatosur vrau 22 njerëz dhe plagosi 24 të tjerë në një Walmart në El Paso.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, tha: “Zonja e parë dhe unë jemi zemërthyer për këtë sulm të pakuptimtë dhe frikacakë, dhe ne ofrojmë mbështetjen tonë të palëkundur për viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë njerëzit e Midland dhe Odessa”. /Telegrafi/