Telegrafi

Dhjetë të vdekur pas të shtënave në një supermarket në Buffalo, Nju Jork

(E plotësuar) Një person i armatosur që mbante një pushkë hapi zjarr në një supermarket në Buffalo, Nju Jork, duke vrarë të paktën 10 persona përpara se të arrestohej pasditen e së shtunës, kanë thënë zyrtarë të zbatimit të ligjit për Associated Press.

Sipas mediumit në fjalë, përcjell Telegrafi, detajet mbi numrin e personave të tjerë të qëlluar në Tops Friendly Market dhe gjendja e tyre nuk ishin të disponueshme menjëherë.

Mediumi në fjalë shton se zyrtarët nuk u lejuan të flisnin publikisht për këtë çështje dhe e bënë këtë në kushte anonimiteti, shkruan The Guardian.

Hetuesit besojnë se i dyshuari mund të ketë qenë duke transmetuar drejtpërdrejt të shtënat dhe po shqyrtojnë nëse ai kishte postuar një manifest në internet.

Një zyrtar ka bërë të ditur se hetimi ishte në fazat e tij paraprake dhe se autoritetet nuk kishin dalluar ende një motiv të qartë.

Ndërkohë Policia e Buffalo konfirmoi se sulmuesi ishte në paraburgim, por nuk e identifikoi të dyshuarin.

Ndërsa zyrtarët e policisë dhe një zëdhënës i zinxhirit të supermarketeve nuk i janë përgjigjur menjëherë mesazheve nga AP që kërkonin koment. /Telegrafi/

Të shtëna masive në një supermarket në Buffalo, Nju Jork, raportohet për disa të plagosur

Autoritetet kanë thënë se “shumë” njerëz u qëlluan të shtunën nga të shtënat masive në një supermarket në Buffalo, Nju Jork.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, nuk dihet saktësisht se sa persona mbetën të plagosur nga të shtënat me armë zjarri, por policia tha se sulmuesi i dyshuar ishte arrestuar rreth orës 15:30, sipas kohës lokale.

Njerëzit aty pranë janë këshilluar të shmangin zonën ndërsa policia vazhdon të hetojë.

Guvernatorja Kathy Hochul tha se ajo po “monitoronte nga afër” situatën dhe u kishte ofruar ndihmë zyrtarëve lokalë.

Raportet fillestare për një ngjarje të mundshme me të shtëna masive në dyqan filluan të qarkullojnë në mediat sociale rreth orës 14:30. /Telegrafi/