Site icon Telegrafi

Të shtëna armësh në një restorant në Vjenë, raportohet për një të vdekur dhe dy të plagosur

Një person ka humbur jetën dhe dy tjerë janë plagosur, gjatë të shtënave me armë që kanë ndodhur sot në një restorant në qendër të Vjenës, Austri.

Dëshmitarët okularë kanë bërë të ditur se dy persona të panjohur rreth orës 13:30 kanë qëlluar me armë para restorantit. Forca të shumta të policisë kanë bllokuar zonën përreth, kurse helikopterët janë vënë në kërkim të dyshuarve, transmeton Telegrafi.

“Rreth orës 13:30 në zonën Lugeck tre persona janë qëlluar me armë zjarri. Hetimet janë duke vazhduar dhe ende mbeten të panjohura rrethanat dhe motivi i këtij sulmi”, thuhet në komunikatën e policisë austriake.

Zona ku ka ndodhur sulmi është e njohur për numrin e madh të restoranteve, kurse “Figmiller” është restoranti që shërben ushqimin tradicional të këtij vendi, dhe pranë dyerve ë tij kanë ndodhur të shtënat. Ai gjendet qindra metra larg katedrales Shën Stefanit në Vjenë. /Telegrafi/

Exit mobile version