Telegrafi

Të shtëna armësh në një klub të natës në Houston, vriten tre burra dhe plagoset një tjetër – sulmuesi në arrati

Tre burra janë vrarë dhe një tjetër është plagosur nga të shtënat që kanë ndodhur brenda një klubi të natës në Houston, Teksas.

Mediat lokale raportojnë se të shtënat kanë ndodhur rreth orës 22:00, ku një burrë i armatosur hapi zjarr mbi klientët e klubit të natës DD Sky Club, që gjendet në qendër të Houstonit, transmeton Telegrafi.

Si rezultat i kësaj tre burra kanë humbur jetën në vendin e ngjarjes, kurse një tjetër është plagosur rëndë dhe është dërguar me urgjencë në spital.

Sulmuesi është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, dhe lokacioni i tij aktual është i panjohur për organet e rendit.

Në anën tjetër, hetuesit janë duke shqyrtuar mundësinë se në sulm kanë marrë pjesë edhe disa persona tjerë dhe për këtë mbetet të analizohen pamjet e kamerave të sigurisë.

Gjithashtu deri më tani nuk dihen arsyet e sulmit si dhe atë nëse viktimat kishin ndonjë lidhje me sulmuesin. /Telegrafi/