Site icon Telegrafi

Të shtëna armësh në afërsi të pallatit presidencial në Guine, ushtria patrullon rrugëve

Të shtëna armësh janë dëgjuar në orët e para të mëngjesit të sotëm pranë pallatit presidencial në Conakry të Guinesë.

Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, rrugëve po patrullojnë mjete dhe kamionë me ushtarë, kurse është mbyllur ura që lidh rrugët tokësore me rajonin ku jetojnë shumica e ministrave dhe gjendet pallati presidencial, transmeton Telegrafi.

Një zyrtar i lartë i qeverisë së këtij vendi ka thënë për Reuters, se presidenti Alfa Conda nuk është lënduar – duke mos dhënë informata tjera të detajuara.

E në rrjetet sociale po qarkullojnë pamje ku dëgjohen të shtënat nëpër qytet, sikurse edhe mjetet plot me ushtarët derisa kalojnë pranë një banke në afërsi të pallatit presidencial.

Kujtojmë që në tetor të vitit të kaluar, 83-vjeçari Alfa Conda fitoi mandatin e tretë në zgjedhje, që u përcollën me protesta të dhunshme në të cilat u vranë dhjetëra persona. /Telegrafi/

 

Exit mobile version