Policia e Tiranës ka vënë në pranga autorët e të shtënave me armë zjarri në një klub nate në zonën e Saukut, në të cilin ka qenë duke performuar reperi i njohur Noizy (Rigels Rajku).
Policia ka dhënë detajet e ngjarjes dhe ka thënë se gjithçka ka ndodhur pas daljes së të rinjve nga klubi, të cilët kanë qëlluar me armë në ajër.
Sipas policisë, në pranga kanë rënë Elson Doçaj, 27-vjeç, nga Tropoja, dhe Përparim Gaxhaj, 27 -vjeç, nga Mitrovica.
Policia ka saktësuar se të shtënat me armë kanë ardhur pas një konflikti banal mes Doçajt dhe Gaxhajt me truprojat e lokalit dhe pasi janë larguar kanë qëlluar në ajër disa herë.
Sapo është njoftuar policia, kjo e fundit ka gjetur në vendin e ngjarjes 4 gëzhoja pistoletë 9 mm si dhe një automjet të markës “Mercedez “ me targa Angleze FY 61 XFB.
Konfikti kishte nisur fillimisht brenda klubit, kur dy grupe të rinjsh kanë debatuar ashpër me njëri-tjetrin dhe konflikti më pas ka filluar jashtë lokalit, ku të rinjtë kanë qëlluar me armë zjarri ndaj njëri-tjetrit nga 4 automjete. Fatmirësisht nga të shtënat nuk janë shënuar të lënduar në njerëz.