Site icon Telegrafi

Të rinjtë e Kosovës ia mësyjnë policisë plot shpresë, mungojnë maturantët

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundim të afatit për dorëzimin e aplikacioneve për konkursin e fundit për policë të Kosovës, ndërsa radhët janë të ngjeshura çdo ditë.

Ajo që e bënë pak më të gjatë radhën është edhe fakti që në rajonin e Prishtinës aplikojnë edhe kandidatët e disa qyteteve tjera. Ndërsa, ata që ia kanë mësyrë policisë kanë shpresë se gjithçka do të shkojë fer.

Kështu Faton Namani nga Lipjani ka treguar për KosovaPress se nga dëshira e madhe për të qenë pjesëtarë i Policisë të Kosovës, i ka filluar përgatitjet fizike qysh para tre muajsh.

Derisa ka theksuar se është e rëndësishme që ky proces të shkojë konform rregullave.

“Më pëlqen profesioni, më pëlqen me qenë polic… Që nuk shkon me të njohshëm është shumë më mirë edhe për neve, se dikush mëson, që ka mësuar prej më parë, është keq mos me dhënë”, u shpreh ai.

Edhe i riu Dardan Olluri, i cili njëjtë sikur parafolësi, kishte ardhur nga Lipjani për të dorëzuar aplikacionin në Prishtinë, ka shprehur entuziazmin e tij për të qenë polic i Kosovës.

“Paj dëshira si i vogël, ka qenë një prej ëndrrave të mija dhe shpresoj që ka me kalu mirë… Jemi shtet institucional, besoj që ka për të shkuar fer. I kemi të gjithë të drejtat e barabarta tash ta shohim se çfarë do të bëhet”, tha ai.

Konkursi për policë të ri në Policinë e Kosovës përfundon më 10 maj. E nga ky konkurs kanë mbetur të papërfshirë 29 mijë e 816 maturantët e këtij viti, të cilët përfundojnë mësimin 5 ditë pas mbylljes së konkursit për policë të rinj.

E për faktin se ka shumë nga ta që përmbushin kriterin e moshës, disa nga ta kanë treguar prapa kamerës së KosovaPress-it se janë të interesuar për të qenë pjesëtarë të Policisë të Kosovës.

Ndërsa kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, ka përjashtuar mundësinë që një gjë e tillë të përbëjë shkelje, pasi që sipas tij, akujt nuk i është mohuar ndonjë e drejtë.

Ai në një prononcim për KosovaPress ka theksuar se asnjë konkurs nuk mund t’iu përshtatet të gjithëve.

“Policia e Kosovës nuk ka bërë asnjë shkelje, as ligjore e as sa i përket të drejtave apo mohimit të konkurrimit të barabartë për të gjithë kandidatët që i plotësojnë kushtet, pra, nuk lidhet kjo me afate… 5’41” Sepse edhe ashtu numri i konkurruesve do të jetë shumë i madh dhe mendoj se më mirë është të bëhet tash përzgjedhja e kandidatëve më të mirë, në mënyrë që pas pensionimit të një pjese të policëve, atëherë thjesht të krijohen kushte për të policë të ri. 5’55” Vetëm Shërbimi Korrektues i Kosovës brenda këtyre 2-3 viteve do të pensionojë më tepër se 300-400 policë, oficerë, dhe aty do të krijohen vende të reja të punës të cilat do të plotësohen me kandidatë të cilët kanë përgatitje shkollore për atë profil”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, ai ka folur edhe lidhur me kriterin që policët nuk duhet të kenë tatuazhe në pjesët e trupit që shihen.

Shala ka arsyetuar këtë pasi që sipas tij, polici duhet të dallojë prej të tjerëve duke qenë se është pasqyrë e një shteti.

“Unë mendoj se kjo është krejt në rregull sepse polici, jo vetëm në Kosovë, por në çdo vend të botës identifikohet me numër identifikues dhe nuk është mirë që polici ta vizatojë trupin me tatuazhe dhe të bëhet në nivelin e delikuentit i cili kryen vepër penale. Mirë është që nuk lejohen tatuazhet sepse nuk janë të hijshme për policin, por në anën tjetër përmes tyre polici bëhet shumë i identifikueshëm edhe për të tjerët, kështu që kjo është shumë në rregull”, tha ai.

Kanë kaluar rreth 4 vite që nga konkursi i fundit për policë të rinj në Policinë e Kosovës, ndërsa përmes tyre, Policia e Kosovës synon ripërtërijen e radhëve të veta me gjenerata të reja. /Telegrafi/

Exit mobile version