Telegrafi

A do të ringjallet ideja e ribashkimit të Qipros pas zgjedhjeve në Turqi?

Presidenti qipriot, Nikos Christodoulides po kërkon të ringjallë bisedimet e bllokuara për ribashkimin e ishullit pas zgjedhjeve ardhshme në Turqi dhe po i bën thirrje Bashkimit Evropian të luajë një rol më aktiv.

Nikos Christodoulides u zgjodh në muajin shkurt me një premtim për të rinisur bisedimet mbi ishullin e ndarë etnikisht, por një element kyç është jashtë kontrollit të tij.

“Horizonti kohor janë zgjedhjet në Turqi”, tha ai, duke iu referuar zgjedhjeve të 14 majit në të cilat presidenti Recep Tayyip Erdogan përballet me një opozitë të bashkuar të udhëhequr nga Kemal Kilicdaroglu.

Ishulli mesdhetar është i ndarë në dy pjesë – veriu me qipriotët turk dhe jugu me qipriotët grek – që kur Turqia e pushtoi në vitin 1974 në përgjigje të një grushti shteti të mbështetur nga Greqia, raporton politico.

Ankaraja nuk e njeh Republikën e Qipros, shtet anëtar i BE-së që njihet ndërkombëtarisht si autoriteti i vetëm sovran mbi të gjithë ishullin.

“Gjithçka varet se si do të sillet Turqia pas zgjedhjeve. Pse ka ndryshuar qëndrim tani, është për shkak të zgjedhjeve apo vërtet i shohin gjërat ndryshe për shkak të faktorëve të brendshëm? Nëse ka vullnet real, do ta shfrytëzojmë”, tha Christodoulides.

Ai theksoi se shpresat e tij për një afrim më të gjerë mes Ankarasë dhe Perëndimit nuk varen nga ajo se kush do t’i fitojë zgjedhjet në Turqi, sepse nuk ka gjasa që Erdogan dhe Kiliçdaroglu të ndryshojnë dukshëm në politikën gjithëpërfshirëse ndaj ishullit.

“Ne duam që BE të na ndihmojë të dalim nga ngërçi dhe të vazhdojmë negociatat. Unë besoj se vetëm BE ka ‘karotën’, stimujt, që mund të dërgojnë drejt atij qëllimi. Prandaj i kërkojmë Komisionit Evropian të marrë një rol qendror”, tha Christodoulides. /Telegrafi/