Site icon Telegrafi

Të punësuarve në sektorin publik, u dalin rrogat për nëntor

Ministria e Financave, përmes një kumtese për media, ka njoftuar se kanë procesuar pagat për muajin nëntor – për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, katër ditë para përmbylljes së muajit.

“Kjo reflekton pozitën shumë të mirë financiare të buxhetit të Republikës së Kosovës. Inkasimi shumë i mirë i të hyrave buxhetore dhe kujdesi i shtuar në shpenzime, ka mundësuar kryerjen e të gjitha obligimeve financiare që ka Qeveria.

Administrata Tatimore e Kosovës ka pasur rreth 13 për qind rritje në të hyra, ndërkaq Doganat e Kosovës rreth 8 për qind. Kjo reflekton aktivitetin e shtuar ekonomik në Kosovë dhe gjithashtu zvogëlimin e ekonomisë joformale. Po ashtu, të hyra shtesë kanë ardhur edhe nga burime të tjera jo tatimore, si nga tantiemat për shfrytëzimin e pasurive natyrore të Kosovës me rreth 30 milionë euro, nga taksa koncesionare e Aeroportit dhe të hyrat të tjera.

Qeveria ka racionalizuar shpenzimet në masë të konsiderueshme dhe presim që kursimet në mallra dhe shpenzime të jenë rreth 10 milionë euro për pjesën e dytë të vitit, përtej kursimeve prej 25 milionë euro të bëra në pjesën e parë të vitit.

Ministria e Financave falënderon të gjithë tatimpaguesit për kryerjen e obligimeve me kohë ndaj shtetit të Kosovës. Ministria e Financave njofton të gjitha organizatat buxhetore, të nivelit qendror dhe lokal, agjensionet ekzekutive dhe organizatat e tjera që përdorin paranë publike, se do të mbikëqyrë nga afër shpenzimet deri në fund të vitit për tu siguruar se çdo shpenzim që bëhet është i arsyetuar dhe në përputhje me ligjin e buxhetit”, thuhet ne njoftim.

Exit mobile version