Të punësuarit në Agjencinë Informative Mediatike (AIM) nesër dalin në protestë paralajmëruese me kërkesën për rritjen e pagave.
Protesta paralajmëruese do të mbahet para objektit të SHA AIM me fillim në orën 11 me kohëzgjatje prej gjysmë ore gjatë kohës së pauzës.
Protesta organizohet me mbështetjen e Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGPM) dhe Sindikatës së Agjencisë Informative Mediatike (SAIM).
Gazetarët dhe punonjësit mediatik të AIM-s prej kohësh kërkojnë rritjen e pagave konform me Marrëveshjen kolektive dhe harmonizimin e kostove të jetesës, por Qeveria deri tani nuk ka gjetur mënyrën të miratojë rritjen e pagave në këtë media shtetërore.
Protestat paralajmëruese do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim dhe në rast se nuk rezultojnë me mirëkuptim dhe pranim të kërkesave të punonjësve, do të ndërmerren hapa më radikale.
SPGPM madje fton të gjithë të punësuarit në SHA AIM që t’i bashkëngjiten protestës.
Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik ofron mbështetje të parezervë për anëtarët e saj dhe të gjithë gazetarët e punësuar dhe punonjësit mediatik në AIM dhe rikujton se parakusht themelor për gazetari të lirë dhe profesionale është gjendja stabile socio-ekonomike e gazetarëve dhe punonjësve mediatik.