Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, i ka bërë thirrje Qeverisë Haradinaj ta përshpejtojë procesin e rishikimit në demarkacionit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.
Ai ka vlerësuar se në këtë drejtim Kosova ka humbur shumë kohë dhe se vonesat e mëtutjeshme janë të panevojshme.
Hoti në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ka thënë se nëse demarkacioni është bërë keq duhet të rinegociohet, por nëse është bërë mirë duhet të ratifikohet në Kuvend.
Sipas tij, e gjithë rrjedha e procesit është peng i të gjeturave dhe i raportit që do të dalë nga komisioni i ri për demarkacion.
Hoti ka bërë me dije se nëse deri në fund të vitit përmbyllet çështja e demarkacionit, ka gjasa reale që Këshilli Evropian ta japë dritën jeshile për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.