79 banorë të zonave të përmbytura gjatë gushtit të kaluar duhet që të lëshojnë konviktin ”Tome Stefanovski-Seniq” dhe të kthehen në shtëpitë e tyre. Ky është vendimi i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, numri një i të cilës vlerëson se janë krijuar kushtet që banorët të kthehen në shtëpi.
Sipas ministrit Ibrahim Ibrahimi, vetëm dy familje do të vendosen në qendrën 25 maji e cila është në kompetencë të kësaj ministrie pasi që sipas tij, është e panevojshme që edhe më tej të shpenzohen mjete për qëndrimin e banorëve në konvikte.
”Ekipet kanë dalë në terren ku problematike janë vlerësuar vetëm dy, tre familje. Ata do të vendosen në qendrën 25 maji dhe nuk do të paguajmë konviktin Siniç. Askush nuk do të ngelet më jashtë në rrugë dhe nëse paraqiten persona shtesë do t’i vendosim në objektet tona vetëm të mos paguajmë më në Seniç rreth 1 milion e 200 mijë denarë. Pjesa më e madhe tyre kanë kushte që të kthehen në shtëpi” – tha Ibrahim Ibrahimi, Ministër për Punë dhe Politik Sociale.
Drejori i konviktit ”Tomke Stefanovski-Seniq”, Lulzim Xhemaili thotë se vendimi ka ardhur gjatë ditës së djeshëm dhe ai do të duhet të respektojë atë. Megjithatë sipas tij vendimi i tillë s’është i drejtë pasi që ai e njeh mirë gjendjen e këtyre banorëve.
”Informatat nga Ministri për Punë dhe Politikë Sociale janë shumë kontradiktore. Në bazë të informatave tonë afati është dashur të vazhdohet deri më 1 maj por si duket vazhdon tallja me banorët. Po si do që të jetë vendimi i ministrisë dhe qeverisë do të duhet të respektohet” – deklaroi Lulzim Xhemaili, drejtor i shtëpisë studentore.
Alsat-M gjatë ditës së sotme ishte në Inxhikovë dhe në Hasanbeg nga ku janë shumica e banorëve që qëndrojnë në konvikte. Gazetarët vëzhguan gjendjen e dy prej familjeve që duhet të lëshojnë konviktin dhe të kthehen në shtëpi. Njëra shtëpi është pa asnjë kusht elementar për jetesë, ndërsa tjetra është rrënuar tërësisht. Objekti i ri që po ndërtohet, pra janë ngritur vetëm shtyllat. Banorët thonë se nuk e dinë se ku do të vendosen dhe bëjnë apel që të vazhdohet afati.
“Nuk kam ku të shkoj. Edhe ju e shihni se s’kam ku, po të kisha do dilja. Nuk kam as tesha edhe asgjë, ku do të vendosem?! Këtu nuk jetohet. Le të më ndihmojë dikush!”, tha Vasfie Faliovska, banore e Inxhikovës.
“Po na thonë që të dalim nga konvikti por ne nuk kemi ku të shkojmë. Le të na vazhdohet edhe nja dy muaj të paktën. Na thonë të shkojmë diku tjetër, tek 25 maji si refugjat por ne nuk jemi refugjatë që të shkojmë atje”, u shpreh Azir Rushiti, banor i Hasanbegut.
Shumat e vogla të kompozimeve të Qeverisë për përmbytjet e 6 gushtit të vitit të kaluar kanë bërë që këta banorë të mos mund të rimëkëmbin shtëpitë e tyre./Telegrafi/