Geta Beqa i është gëzuar një tjetër suksesi në arenën ndërkombëtare.
Atletja dhe kampionia botërore e fitnesit ka fituar medaljen e agjentë në Kampionatin Botëror IFBB Elite Pro që u mbajt në Pekin të Kinës.
Sportistja nga Kosova konkurroi në kategorinë ‘Wellnes Fitness’, ku arriti të zë vendin e dytë.
Angela Borges e fitoi vendin e parë në këtë kategori, derisa vendi i tretë i takoi atletes Carina Marques.
“Emocionuese. Sporti është një sfidë për ne sportistët pasi përfaqësojmë shtetin tonë… Unë kisha shumë përgjegjësi , sepse tani mbaj dy shtetësi”, ka shkruar Geta në rrjetet sociale.
Në postimin e saj në Instagram, mes të tjerëve, ajo e ka falënderuar presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta dhe ministrin e MKRS-së, Kujtim Gashi, për mbështetjen dhe natyrisht edhe trajnerët e saj.
Kampionati Botëror i fitnesit ‘Elite Pro’ u zhvillua në Pekin të Kinës në datat 17-19 nëntor.
Theksojmë se kjo arritje e Getës erdhi pas suksesit në Madrid, ku arriti të marrë vendin e parë në IFBB Elite Pro pikërisht në kategorinë ‘Wellness Fitness’, ku paraqitja, imazhi dhe suksesi i saj ndërkombëtar, i ka bindur drejtuesit e këtij shteti iberik të lënë mënjanë bindjet e tyre politike karshi Kosovës. /Telegrafi/