Telegrafi

Të paktën nëntë të vdekur, momenti kur ekipet e shpëtimit nxorën të gjallë një vajzë 4-muajshe nga rrënojat e një ndërtese të shembur në Jordani

Ekipet e shpëtimit në Jordani kanë nxjerrë një vajzë 4-muajshe nga rrënojat e një ndërtese të shembur në Amman, Jordani, të mërkurën.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, të paktën nëntë persona gjetën vdekjen dhe të tjerë mbetën të zhdukur, pasi ndërtesa katërkatëshe u shemb në kryeqytetin jordanez.

Kështu, ekipet e shpëtimit në Jordani kanë kërkuar për të dytën ditë për të mbijetuarit e mundshëm.

Siç theksojnë mediat e huaja, të paktën 25 persona ndodheshin në ndërtesën e rrënuar të banimit në lagjen Webdeh të kryeqytetit jordanez kur ajo u shemb të martën.

Ekipet e shpëtimit të mbrojtjes civile punuan gjatë natës për të hequr pjesët e shembura të betonit dhe për të ngritur mbeturinat në një kërkim të dëshpëruar për të mbijetuarit.

Rreth një duzinë njerëz ishin evakuuar deri më tani, disa me lëndime të rënda, thanë burimet spitalore.

Më herët qeveria tha se besonte se të paktën dhjetë njerëz ishin ende nën rrënoja dhe disa mund të ishin gjallë.

Prokurori publik ka hapur një çështje penale kundër një kontraktori që po bënte shpime në ndërtesë ditët para shembjes së saj dhe një prej pronarëve të ndërtesës në lidhje me incidentin, tha një burim gjyqësor të mërkurën. /Telegrafi/