Të paktën 94 persona, përfshirë fëmijë, kanë vdekur pas përmbytjes së një trageti në brigjet veriore të Mozambikut.
Bëhet e ditur se anija po transportonte njerëz që iknin nga shpërthimi i kolerës që po shkatërron Afrikën Lindore.
Lourenco Machado, administrator në Institutin e Transportit Detar të vendit, njoftoi se nga incidenti kanë mbetur të zhdukur edhe 26 persona të tjerë.
Gjithashtu, ai tha se anija ishte e mbingarkuar dhe nuk ishte e licencuar për të transportuar njerëz, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
“Të dielën ne regjistruam një incident detar ku të paktën 94 njerëz vdiqën kur një anije me 130 persona u përmbys. Kemi gjetur 94 trupa dhe 26 janë të zhdukur”, tha Machado.
Siç raportohet, trageti po transportonte njerëz nga Lunga për në provincën Nampula të ishullit të Mozambikut.
Se një prej arsyeve që anija u fundos ishte mbingarkimi tha edhe Silverio Nauaito, administratori i ishullit të Mozambikut.
“Anija kishte një kapacitet prej 100 personash, por mbante rreth 130”, tha Nauatio.
Në lidhje me shpërthimin e kolerës, administratori tha se njerëzit po largohen nga Lunga sepse atje ka një “epidemi diarreje”.
“Pas shfaqjes së simptomave, tre minuta më vonë ata janë pothuajse të vdekur. Prandaj, ata shkuan në kërkim të kësaj anije për të parë nëse mund të transportonte njerëz në Mozambik”, tha administratori.
Ndryshe, Mozambiku dhe vendet fqinje të Afrikës Jugore, Zimbabve dhe Malavi, janë prekur muajt e fundit nga një shpërthim vdekjeprurës i kolerës që autoritetet po përpiqen ta frenojnë. /Telegrafi/