Telegrafi

Të pakënaqur me përfaqësimin në Qeverinë Kurti, Lista Serbe i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Lista Serbe ka bërë të ditur se i është drejtuar sot Gjykatës Kushtetuese, siç është thënë pas vendimit të qeverisë së Albin Kurtit, që për këtë komunitet të ketë vetëm një ministri.

Siç është bërë e ditur në njoftim, Lista Serbe paraqiti sot në emër të dhjetë deputetëve të kësaj partie dhe deputetëve të Partisë së Bashkuar Gorane një ankesë në Gjykatën Kushtetuese “në mënyrë që të mbrojë interesat e popullit serb”.

“Ankesa kundërshton vendimin për zgjedhjen e Qeverisë në Prishtinë më 22 mars, 2021 në të cilin popullit serb iu dha vetëm një ministri edhe pse sipas Kushtetutës ishte i detyruar të caktonte dy”.

“Lista Serbe pret që Gjykata Kushtetuese të vendosë në përputhje me të drejtën kushtetuese duke respektuar të drejtat e popullit serb, por edhe të komuniteteve të tjera jo-shumicë”, thuhet më tej në njoftim, përcjell Telegrafi.

Sipas Listës Serbe, vendimi për të mohuar përfaqësimin e drejtë të serbëve në institucionet në nivelin qendror është në kundërshtim me të gjitha aktet ligjore.

“Theksojmë se nuk na duhen vende ministrore vetëm sa për poste, por si një mjet për të përmirësuar kushtet në të cilat jetojnë njerëzit tanë në Kosovë”, përfundohet në njoftimin e Listës Serbe. /Telegrafi/