Të gjallë apo të vdekur, Indira Berisha pret ta gjejë babën e saj me të cilin u nda gjatë luftës së fundit në Kosovë, në mars të vitit 1999.
“Me rëndësi është ta gjejmë. Në atë kohë kur e kanë rrëmbyer ka qenë 66-vjeçar. Nëse është gjallë, duhet të jetë 88-vjeçar. Nëse është i vdekur, t’i gjejmë eshtrat e tij dhe ta varrosim”, thotë Indira për Radion Evropa e Lirë.
Babai i Indrës, Ramadan Berisha nga Fushë Kosova, është në mesin e 1.630 personave të pagjetur nga lufta në Kosovë në vitin 1999.
Për këto 22 vjet, Indira thotë se përmes organizatave të ndryshme të cilat merren me këtë çështje, provuan ta gjejnë, por deri më tani pa sukses.
Indira ishte 27-vjeçare kur u nda nga babai.
Tani ajo është nënë e një vajze, të cilës thotë se do të dëshironte t’i tregonte se ku gjendet gjyshi i saj.
“Babai im ka arritur ta shohë vetëm nipin e madh, i cili në atë kohë ka qenë nëntëvjeçar. Tani janë bërë edhe 14 nipa e mbesa që ai nuk i ka parë”, tregon ajo.
Indira kërkon nga autoritetet e vendit që të tregohen më të ndjeshëm, në mënyrë që kjo çështje të mos politizohet dhe të bëhet për përfitime politike.
“Për ne është e rëndësishme t’i gjejmë familjarët tanë. T’i gjejmë dhe të jemi në paqe me vetveten. Asgjë tjetër nuk na intereson, si vepron shteti apo ndërkombëtarët”, thotë ajo.
Që nga paslufta, në Kosovë dhe Serbi janë kryer zhvarrime në varreza masive dhe deri me tani janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.
Së fundmi, gërmimet janë bërë muajin e maj në varrezën masive në Kizhevak të Rashkës në Serbi.
Në këtë lokacion u gjetën mbetjet mortore të nëntë kosovarëve, të vrarë gjatës luftës.
Politizimi i çështjes së të pagjeturve
Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, që shënohet më 30 gusht, organizatat që merren me çështjen e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë, vlerësojnë se kjo temë po politizohet.
Ata kërkojnë depolitizimin e çështjes së të pagjeturve.
Bajram Qerkini, drejtuesi i shoqatës “Zëri i Prindërve”, thotë se dhimbja e cila po përcjell këto familje tani e 22 vjet, është keqpërdorur nga politika dhe politikanët për përfitime të tyre.
“Ju ndërkombëtarët dhe qeveritarët nuk mund të na shëroni, por mund të na zbutni dhimbjen që e kemi plot 22 vjet. Me çka? Me punët që i keni premtuar e që nuk po i kryeni. Kërkesa e familjarëve është një, zbardhja e fatit të pagjeturve”, tha ai gjatë forumit “Nevoja për depolitizim të çështjes së personave të zhdukur”, të mbajtur të mërkurën, më 25 gusht.
Se çështja e personave të pagjetur është politizuar e thotë edhe Andin Hoti, kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur.
“Çështja e personave të zhdukur duhet të trajtohet vetëm në mënyrë humane dhe nuk duhet të jetë politike. Por, për fat të keq Serbia po e trajton si çështje politike”, thotë Hoti për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se Serbia duhet të dëshmojë se çka ka ndodhur dhe të tregojë se ku gjenden këta persona.
Depolitizimi i kësaj çështjeje, shton Hoti, është parakusht i suksesit të përpjekjeve për të zbardhur fatin e personave të zhdukur.
Të pagjeturit, në marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë
Çështja e ta pagjeturve ka qenë pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Në shtator të vitit 2020, zyrtarët e delegacionit të Kosovës kishin deklaruar se është arritur me Serbinë një marrëveshje për të pagjeturit. Por, ata nuk patën sqaruar detajet e marrëveshjes.
Zyrtarët e qeverisë së kaluar, të ish-kryeministrit Avdullah Hoti, kishin theksuar se pikat e Marrëveshjes për të pagjeturit do të zbatohen vetëm në rast se arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese me Serbinë.
Ndërkaq, në qershor të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se çështja e të pagjeturve nga koha e luftës është një plagë e hapur dhe se “është shumë me rëndësi që të hapen arkivat shtetërore të Serbisë”.
Andin Hoti, kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, thotë se nuk ka parë diçka të hartuar të kësaj marrëveshjeje, por ai thotë se nuk mund të ketë marrëveshje të përfundimtare me Serbinë pa u zgjidhur fati i të pagjeturve.
Në anën tjetër, ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott i cili ishte i pranishëm në forumin e organizuar nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, tha çështja e personave të pagjetur nuk duhet të politizohet.
Por, ai shtoi se kjo jo nuk do të thotë të injorohet mjedisi politik në të cilin këto çështje zhvillohen, por kjo do të thotë që askush nuk duhet të përdorë çështjen e të zhdukurve si një përfitim politik.
Abbott tha se se Kosova edhe Serbia duhet të komunikojnë për të ndarë informatat në mënyrë të hapur dhe në një frymë të bashkëpunimit dhe jo përplasjeje.
“Personat e zhdukur, familjet e tyre dhe organizatat joqeveritare që mbështesin këtë nuk duhet të përdoren si futboll në arenën politike të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai. /rel/