Gjevrie Sylejmani nga Podujeva, ditëlindjen e 75-të, e ka festuar tek Shtëpia e Personave të Moshuar dhe pa Përkujdesje Familjare në Prishtinë ku është vendosur aty para gjashtë viteve.
Gjevrija thotë se është detyruar të vendoset në këtë shtëpi pasi pas vdekjes së bashkëshortit, ajo nuk kishte përkujdesje familjare.
“Pas vdekjes së bashkëshortit mbeta e vetme dhe nuk kishte kush të kujdesej për mua dhe vendosa të vij këtu”, u shpreh ajo.
Tregimin e saj për Telegrafin, ajo e vazhdon duke thënë se fillimi ka qenë shumë i vështirë, mirëpo tashmë është e kënaqur me shërbimin që i ofron kjo shtëpi dhe është mësuar se këtu do ta kaloj pjesën e mbetur të jetës.
“Këtu kalojmë mirë, punoj punë dore, xhemperë për foshnja të porsalindura dhe rroba ku iu dërgojmë për dhuratë të afërmeve. Kohën gjithashtu e kalojmë duke shikuar televizion, duke falur pesë kohë namaz dhe duke vizituar të afërmit gjatë ditëve të vikendit”, ka treguar Sylejmani për Telegrafin.
Shoqja e Gjevrijës, Jakupe Turjaka, 82 vjeçare nga Peja, shprehet se nuk ka pasur asnjëherë fëmijë dhe pas vdekjes së bashkëshortit u strehua në këtë shtëpi.
“Jam 82 vjeçare dhe jetoj në këtë shtëpi që 15 vjet. Nuk kam pasur asnjëherë fëmijë dhe pas vdekjes së bashkëshortit jam vendosur këtu”, u shpreh Turjaka.
Ajo shton se aty kushtet janë të mira dhe se kujdesen mirë për të dhe të tjerët që janë aty.
Drejtoresha e këtij institucioni, Raze Aliçkaj, tha se ky institucion ofron shërbime 24 orësh ku përfshihen ushqimi, veshmbathja, terapia e punës, shërbimi social, etj.
“Në shërbimin shëndetësor punon mjeku i përgjithshëm me orar të rregullt, por edhe mjekë të tjerë. Edhe shërbimi i kuzhinës është i mirë, ushqimi përgatitet me tri racione ditore ku përfshihet mëngjesi, dreka dhe darka”, deklaroi drejtoresha Aliçkaj për Telegrafin.
Ndërsa, rregullat për tu pranuar në Shtëpinë e Personave të Moshuar në Prishtinë janë të thjeshta.
Në fillim duhet marrë një udhëzim të lëshuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ku thuhet se banori duhet të jetë shtetas i përhershëm i Kosovës, duhet të jetë mbi 65 vjeç dhe të jetë person pa përkujdesje familjare. Po ashtu nuk duhet të ketë fëmijë biologjik.
Ai person duhet të ketë një dëshmi të psikiatrit që nuk ka çrregullime të theksuara mendore, po ashtu edhe certifikatë nga ana e mjekut infektolog specialist që s’ka sëmundje infektive.
Vendosja e tyre bëhet nga Qendra për Punë Sociale, të cilat ndodhen nga të gjitha qendrat e Republikës së Kosovës.
Qazim Gashi, udhëheqësi i Divizionit të Personave të Moshuar në Ministri të Punës u shpreh i shqetësuar edhe për personat e tjerë, të cilët i kanë fëmijët në shtetet e jashtme dhe për të cilët nuk ka kush të kujdeset.
Më tutje, ai shtoi se në bazë të përllogaritjeve duke përfshirë të gjitha shpenzimet, vlerësimet e kostos që janë bërë vitin e kaluar për një të moshuar janë prej 900-1000 euro për muaj dhe se këto mjete sigurohen prej buxhetit të Qeverisë së Kosovës.
“Kjo kosto është e mjaftueshme edhe pse herë pas here mund të paraqiten probleme të ndryshme të prishjeve eventuale ku duhet reaguar shpejtë, por mund të ketë ngadalësim”, ka thënë Gashi për Telegrafin.
Në shtëpinë e pleqve gjenden gjithsej 64 të moshuar nga të gjitha komunitetet në Kosovë. /Egzona Lokaj/Telegrafi/