Jeni mërzitur nga të qëndruarit në karantinë, postimet e shumta në rrjetet sociale, lajmet e vazhueshme rreth pandemisë dhe aktiviteteve të kufizuara? Epo duket se ka një ide të mirë për ju që po përpiqeni të gjeni diçka të re për të bërë këto ditë…
Këngëtarja Vesa Smolica është në kërkim të disa protagonistëve për klipin e saj të ri, e që mund të jeni secili nga ju në shtëpitë tuaja.
Ajo ka përgatitur një këngë të re, e cila vjen në bashkëpunim me kitaristin e njohur Faton Macula që jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – dhe ky bashkëpunim njëherësh shënon projektin e tij të parë muzikor me një artiste shqiptare.
Vesa përmes një video të publikuar tashmë në rrjetet sociale dhe fuqizuar nga portali “Telegrafi”, u ka bërë thirrje të gjithë njerëzve që po qëndrojnë mbyllur këto ditë, që të realizojnë nga një video të shkurtër nga shtëpia, nëse duan të jenë pjesë e projektit të saj të ri.
Këngëtarja ka ndër mend që në klipin e ri të këngës së saj, të shfaqë copëza videosh nga njerëzit e zakonshëm të realizuar në këto ditë karantine.
Ajo çfarë kërkohet është xhirimi i një video të shkurtër, ku mund të shprehen emocionet e gëzimit dhe harmonisë – pak a shumë si videot e famshme që po publikohen në aplikacionin e ri që ka “çmendur” rrjetin, TiKTok.
Si mund të bëheni pjesë e klipit?
Videot nga shtëpia mund t’i dërgoni në e-mailin magazina@telegrafi.com, dhe më pas ato do të shqyrtohen dhe regjisori i videos muzikore do të kujdeset që të publikohen duke u bërë pjesë e klipit të ri.
Është një ide e mirë për secilin që do të dëshironte që në të ardhmen të kishte një “kujtim nga karantina”, që do të përjetësohej në klipin e një kënge shumë të veçantë, që do mbahet mend si “kënga e prodhuar në kohën e izolimit”. /Telegrafi/