Site icon Telegrafi

Të mërkurën takohen Bartomeu me babanë e Messit, presidenti i Barcës me strategji të qartë

(Foto: Getty Images/Guliver/fcbarcelona.com)

Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu dhe babai i Lionel Messit, Jorge, pritet të takohen të mërkurën – raporton Mundo Deportivo.

Situata në mes të lojtarit dhe klubit është e tensionuar, pasi argjentinasi ka kërkuar ndërprerjen e kontratës, ndërkohë që të dielën refuzoi të merrte pjesë në testimet për COVID-19, rrjedhimisht nuk do të jetë pjesëmarrës në stërvitjet e të hënës.

Megjithatë, kreu i Barcës dhe Jorge Messi kanë qenë në kontakt përmes telefonit dhe janë pajtuar të takohen për të arritur marrëveshje lidhur me të ardhmen superyllit 33 vjeçar.

(Foto: fcbarcelona.com)

Porse qëndrimi i Messit në Camp Nou është thuajse i pamundur dhe vështirë mund të arrihet një marrëveshje miqësore mes klubit dhe futbollistit, edhe pse ky i fundit është angazhuar për diçka të tillë.

Argjentinasi dëshiron që klubi ta respektojë klauzolën e tij për ndërprerjen e kontratës në çdo fundsezoni (e cila ka skaduar më 10 qershor) duke iu referuar faktit se sezoni është zgjatur për shkak të pandemisë dhe ashtu duhej të ndodhte edhe me klauzolën.

Në të kundërt duhet të zbatohet klauzola tjetër prej 700 milionë eurosh për prishjen e kontratës ose ai duhet të qëndrojë deri në verën e vitit 2021 dhe pastaj të largohet si lojtar i lirë.

(Foto: Alex Caparros/Getty Images/Guliver)

Për më shumë, pozicionimin e Barcelonës e ka përforcuar edhe qëndrimi i La Ligas që e ka mbështetur klubin katalunas.

Strategjia e Bartomeut është që përmes babait të Messit ta bindë ‘numrin 10’ të nënshkruajë kontratë të re, duke qenë se ai nuk dëshiron të mbahet mend si presidenti që e lejoi largimin e lojtarit më të mirë në histori të Barcës. /Telegrafi/

Exit mobile version