Site icon Telegrafi

Të mërkurën pritet të arrijë një kontigjent vaksinash anti-COVID nga BE në Kosovë

Një pjesë nga 95 mijë vaksinat kundër COVID-19, të ndara nga Bashkimi Evropian për Kosovën, do të mbërrijnë në vend në mesin e javës së ardhshme, ka bërë të ditur Komisionieri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Ai ka njoftuar se do të qëndrojë në Kosovë më 5 maj, të mërkurën, në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor, në një kohë kur rajonit do t’i dhurohen vaksinat kundër koronavirusit, si pjesë e ndihmës nga Bashkimi Evropian.

Komisioni Evropian dhe Austria patën njoftuar më 20 prill se 651 mijë doza të vaksinës “BioNTech/Pfizer” do të dorëzohen në rajon çdo javë nga fillimi i muajit maj e deri në muajin gusht. Këto vaksina janë paraparë për të ndihmuar në shpejtimin e kampanjës së vaksinimit e për të siguruar që grupet në rrezik të marrin vaksinën. Vaksinat janë ndarë nga pakoja 70 milionë euroshe, e siguruar nga Bashkimi Evropian. Austria ka lehtësuar shpërndarjen e vaksinave përmes marrëveshjeve me prodhuesin dhe çdo partner të Ballkanit. Shpërndarja do të bëhet në bazë të nevojës epidemiologjike. Për Kosovën janë caktuar 95 mijë doza.

“Do të udhëtoj drejt Ballkanit Perëndimor për të përçuar mesazh të qartë: Ne kujdesemi! Ne kujdesemi për partnerët tanë dhe kujdesemi për punëtorët e tyre shëndetësorë dhe ata më të rrezikuarit. Shpërndarja e vaksinave konfirmon përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të ofruar përkrahje, siç kemi bërë që nga shpërthimi i pandemisë. Bashkë më të fortë!”, ka thënë ai për uebfaqen e Komisionit Evropian.

Para se të vizitojë Kosovën dhe Shqipërinë të mërkurën, Varhelyi do të nisë vizitën të hënën në Serbi, e më pas do të vizitojë Bosnjën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Sipas njoftimit, me autoritetet ai do të diskutojë për pandeminë dhe përkrahjen e BE-së në këtë drejtim.

Kosova tashmë ka marrë vetëm 24 mijë doza të vaksinës “AstraZeneca” nëpërmjet programit të COVAX-it, ku BE-ja ka kontribuar me 2.5 miliardë euro. Këto doza tashmë janë harxhuar.

Exit mobile version