Telegrafi

Të mërkurën përfundon afati i paraqitjeve, nuk dihet nëse do të ketë zgjedhje në diasporë

Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve deri sot për votim në zgjedhjet e 12 prillit, janë paraqitur 4299 qytetarë të Maqedonisë së Veriut që jetojnë në diasporë.

Për momentin mbetet e paqartë nëse do të ketë votime në diasporë, pasi dihet se së paku 6540 shtetas duhet të paraqiten, në mënyrë që të organizohen votimet edhe në diasporë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Nga KSHZ thonë se duke e pasur parasysh dinamikën e paraqitjeve nga diaspora, nuk dihet nëse do të arrihet numri i duhur për mbajtjen e zgjedhjeve.

Megjithatë duhet të pritet deri të mërkurën në mesnatë, kur edhe skadon afati për paraqitje nga qytetarët që jetojnë jashtë vendit.

Më shumë qytetarë deri tani janë paraqitur në Melbourn të Australisë (468) dhe Venecia (462).

Ndryshe, partitë politike në vend kanë filluar me përpilimin dhe zyrtarizimin e kandidatëve me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme kuvendare./Telegrafi/