Site icon Telegrafi

Të mëdhenjtë që kanë performuar para diktatorëve dhe kanë përfituar miliona (Foto)

Edhe pse shumë personazhe të njohura angazhohen për respektimin e të drejtave njerëzore dhe trajtimin e njëjtë të të gjithëve, megjithatë ata nuk kanë mundur t’i refuzojnë ofertat milionëshe të diktatorëve.  

Për të ruajtur imazhin e tyre në publik, shumë prej tyre janë përpjekur që t’i fshehin evenimentet e tilla, por edhe të arsyetohen me shpjegime të ndryshme.

Kështu, Sting ka kënduar për Gulnara Karimova, vajzën e presidentit të Uzbekistanit, Islam Karimov – i njohur si “diktatori që i zien kundërshtarët e tij”. Për këtë rast, këngëtari është arsyetuar me fjalët se kishte menduar se “koncertin e organizonte UNICEF-i”.

As diva latine, Jennifer Lopez, nuk i ka rezistuar ofertës marramendëse dhe ka marrë pjesë në festën e ditëlindjes së presidentit të Turkmenistanit, Gurbanguly Berdimuhamedow, regjimi i të cilit përshkruhet si “më represivi në botë”. J.Lo është paguar 1.4 milion dollarë për këtë paraqitje.

Nicki Minaj pranoi ofertën e kompanisë që e pronëson presidenti i Angolës, Jose Eduardo dos Santos – i akuzuar për afera të shumta korruptive dhe shkelje të drejtave njerëzore – për të performuar në atë vend. Kur është pyetur se pse ka kënduar para njeriut që i arreston dhe vret kundërshtarët politikë, reperja ka folur befas për vajzën e tij duke thënë se “ajo është frymëzim për femrat në gjithë botën”. Minaj kishte përfituar 1.4 milionë dollarë për atë performancë.

Para fillimit të luftës civile në Libi, para Muammar Gaddafit kanë kënduar Nelly Furtado, Usher dhe Mariah Carey. Kjo e fundit është arsyetuar me fjalët se ishte naive dhe se nuk e dinte para kujt do të performojë. Ata kanë përfituar nga një milionë dollarë.

Më së shumti nga të gjithë ka përfituar Kanye West, të cilin presidenti i Kazakistanit, Nursultan Nazarbayev, e ka paguar tre milionë dollarë për të kënduar në dasmën e nipit të tij.

Në ndërkohë, Beyonce është përpjekur ta mbajë të fshehtë performancën e saj për familjen e Gaddafit në vitin 2009. Shuma që diva e muzikës pop ka përfituar mbetet akoma e panjohur. Ekipi i këngëtares madje është përpjekur të pengojë publikimin e çfarëdo lajmi për këtë ngjarje. /Telegrafi/

Exit mobile version