Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, ka thënë se Xherdan Shaqiri dhe Shani Tarashaj janë dy futbollistët që kanë shprehur dëshirë të madhe që të luajnë për Kosovën.
Në një intervistë për KTV-në, ai ka thënë se mesfushori i Stoke Cityt dhe sulmuesi i Evertonit janë të interesuar që të veshin fanellën e përfaqësueses sonë.
Vokrri ka shpjeguar se këta lojtarë duhet të bëjnë kërkesë individuale në FIFA që të bashkohen me Kosovën. Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës ka treguar edhe datën se kur FFK duhet të dorëzojë listën përfundimtare të futbollistëve në FIFA. Ai ka bërë të ditur se ekzistojnë hapësira që mund të mbushen deri në momentet e fundit.
“Data e fundit është 3 apo 4 shtator dhe ne kemi lënë vend të lirë në listën preliminare të dërguar në FIFA”, ka thënë ai.
Duke komentuar situatën me Adnan Januzajn, Vokrri ka thënë se ai nuk është lajmëruar. “Kam provuar ta kontaktoj përmes një familjari të tij, por ai nuk lajmërohet. Kjo është shumë shqetësuese”, ka pohuar Vokrri.
Sa i përket Amir Rrahmanit, ai ka thënë se Federata Shqiptare e Futbollit ende nuk ia ka lëshuar një dokument zyrtar Federatës së Futbollit të Kosovës për lojtarin e Splitit.
“Po shpresojmë që FSHF do ta lëshojë dokumentin e të gjitha ndeshjeve zyrtare të Amir Rrahmanit të luajtur me Shqipërinë, gjë që nuk e ka bërë ende. Ne nuk kemi kërkuar, por ka kërkuar lojtari. Këtë dokument e kërkon FIFA, për t’ia mundësuar më pas lojtarit të luajë me ne”, ka theksuar Vokrri për Interaktiv të KTV-së. /Telegrafi/