Telegrafi

Do të konfiskohen të gjitha patentë shoferët që janë marrë kundërligjshëm – prin rajoni i Pejës me keqpërdorime

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi në një konferencë për media ka thënë se tashmë ka dorëzuar në Prokurorinë e Pejës raportin me dyshimet e tyre për keqpërdorimet që janë bërë me marrjen e patentë shoferit.

Para mediave, Durmishi tha se bëhet fjalë për përfshirjen e shumë personave, nga autoshkollat, ekzaminer e zyrtarë të ministrisë, transmeton Telegrafi.

Gjithashtu, ai paralajmëroi se nëse konfirmohen dyshimet e tyre, do të konfiskojnë të gjitha patentë shoferët që janë marrë kundërligjshëm.

“Ne kemi dërguar raportin në Prokurorinë e Pejës janë qindra raste, unë informata më shumë nuk mund të jap, pasi janë në proces të hetimit. Janë me emra, mbiemra, kur janë paraqitur provimet. Ka rënë 10 herë në Prishtinë, dhe ka shkuar e ka dhënë provimin me të parën në Pejë”, deklaroi ai.

Durmishi theksoi se këtu bëhet fjalë për ndërmarrje të gjerë kriminale, ku janë të përfshirë shumë njerëz.

“Është çështje e prokurorisë, policisë, dhe gjykatës ta trajtojnë me seriozitet këtë. Ndërsa, ne si institucion do të ndërmarrim masa. Janë të përfshirë zyrtarë të autoshkollave, ekzaminer, dhe zyrtarë të ministrisë”.

Lexo po ashtu Dyshimet për keqpërdorime në njësitë për patentë-shoferë në Kosovë, Durimishi: Kemi të bëjmë me ndërmarrje kriminale

Ndryshe, ditë më parë Ministria e Infrastrukturës ua ka ndërprerë marrëdhënien e punës tre ekzaminerëve të angazhuar në departamentin për patentë shofer.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, kishte thënë se vendimi është marrë pas informatave për dyshime të bazuara në keqpërdorime të mëdha në procesin e punës. /Telegrafi/