Talebanët kanë kërcënuar me një ‘reagim’ nëse SHBA-ja ose Britania e Madhe zgjasin afatin për tërheqjen e trupave nga Afganistani.
Joe Biden ka caktuar një afat deri më 31 gusht për të gjithë amerikanët që të largohen nga vendi, por burimet ushtarake në Mbretërinë e Bashkuar thanë se duheshin edhe dy javë për të evakuuar të gjithë.
Por zëdhënësi i talebanëve Dr Suhail Shaheen ka paralajmëruar për ‘pasoja’ nëse forcat perëndimore qëndrojnë përtej fundit të muajit, përcjell Telegrafi.
Ai tha për Sky News: ‘Është një vijë e kuqe. Presidenti Biden njoftoi se më 31 gusht ata do të tërhiqnin të gjitha forcat e tyre ushtarake. Pra, nëse ata e zgjasin atë, kjo do të thotë se ata po zgjasin okupimin, ndërsa nuk ka nevojë për këtë”.
“Nëse SHBA -ja ose Britania e Madhe do të kërkonin kohë shtesë për të vazhduar evakuimet – përgjigja është jo. Ose do të kishte pasoja”.
“Do të krijojë mosbesim mes nesh. Nëse ata synojnë të vazhdojnë pushtimin, kjo do të provokojë një reagim”.
Dr Shaheen gjithashtu pohoi se njerëzit nuk po ikin nga Afganistani sepse kanë frikë, duke thënë se ishte thjesht ‘migrim ekonomik’, pavarësisht skenave të dëshpëruara në aeroportin e Kabulit.
Ai shtoi se ishte ‘lajm i rremë’ që shkollat e vajzave po mbyllen mes raportimeve të talebanëve që shkojnë derë më derë dhe kërcënojnë njerëzit ndërsa kërkojnë ish-punonjës të qeverisë. /Telegrafi/