Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare subjektet politike kanë intensifikuar kontaktet për të formuar koalicione parazgjedhore.
Nominimi i Vjosa Osmanit nga LDK si kandidate për kryeministre ka shkaktuar reagime të ndryshme si nga opinioni publik ashtu edhe nga subjektet politike.
Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla ka akuzuar LDK-në se ka bërë veprim tinëzar duke e nominuar Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre.
Por, kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani nuk mendon njëjtë si Sveçla, raporton Telegrafi.
Ajo ka thënë se është përjashtuar koalicioni me PDK-në por ka thënë se “fokusi ynë për partnerë të ardhshëm është me Vetëvendosjen dhe do të diskutojmë në ditët në vijim”.
Edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se LDK ka vullnet që të shkojmë bashkë me VV-në në një koalicion parazgjedhor në zgjedhje.
Ndërkohë një zhvillim interesant është edhe pjesëmarrja e përbashkët e Lutfi Hazirit dhe Glauk Konjufcës në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini sonte nga ora 20:30.
Se a do të konfirmohet një koalicion mes LDK-së dhe VV-së, mbetet të shihet sonte në emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini. /Telegrafi/